Tragjedi në rrugë, dy të vdekur në një aksident, largohet autori

408
Sigal

Fushë -Krujë/Dy viktimat udhëtonin në motor pa vendosur kaskat. Rrugorët nuk mundën të ndalojnë makinën e aksidentit

Dy viktima në një aksident rrugor, është bilanci i tragjedisë së djeshme në rrugë. Ndërkohë, policia jo vetëm nuk është në gjendje të ndalojë lëvizjen pa kaska në kokë të njerëzve që lëvizin me motorë, (si rasti i djeshëm), por nuk është në gjendje të kapë as drejtuesin e automjetit që shkaktoi tragjedinë dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy të rinjve ka ndodhur dje në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, në vendin e quajtur ‘Ura e Gjolës’.
Një motoçikletë me targe a 555, me të cilin udhëtonin dy persona është përplasur me një automjet. Për pasojë njëri prej tyre ka humbur menjëherë jetën, ndërsa tjetri është plagosur rëndë dhe pas disa minutash ndërroi jetë në spital, duke mos iu rezistuar plagëve të marra. Viktimat janë Sabri Beja, 23-vjeç i cili drejtonte motoçikletën dhe shoqëruesi i tij, Renald Tema 22-vjeç.
AKSIDENTI
Sipas policisë së mbërritur në vendngjarje, aksidenti ka ndodhur për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e dy automjeteve të përfshira në aksident. “Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, një nga viktimat ka ndërruar jetë. Persona të rastësishëm në vendin e  ngjarjes e kanë dërguar menjëherë të plagosurin tjetër për në spital, por ai ka ndërruar jetë para se të ndërhynin mjekët. Bëhet me dije se mjeti i përfshirë në aksident është larguar menjëherë nga vendngjarja, pa iu dhënë ndihmë dy të rinjve. Policia ndërkaq ka nisur hetimet për drejtuesin si dhe zbardhjen e shkaqeve të aksidentit”,- shtojnë burimet nga vendi i ngjarjes.

POLICIA

Burime për “Telegraf” shtojnë se, në momentin e aksidentit, jo shumë larg, ka qenë dhe patrulla e policisë së qarkullimit rrugor. Ndonëse policia është njoftuar menjëherë, rrugorët nuk kanë mundur të që ndalojnë automjetin që shkaktoi aksidentin dhe u largua me shpejtësi. Po ashtu, dy viktimat aksidentit, kanë qenë në momentin  lëvizjes me motor pa kaska në kokë. Si ka mundësi që në një vend me fluks të madh qarkullimi, në stinë plazhi, të lëvizet pa kaska mbi motorë!?. Si ka mundësi që drejtuesi i automjetit që aksidenti dy vetë të ikë me shpejtësi me automjet dhe të mos ndalohet nga Policia Rrugore?!. Për më tepër, në një zonë ku pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo, në këtë zonë ka prezentë të shumtë forcash policore e mjete, të ndodhë aksidenti e automjeti të largohet?. Për qytetarët, jeta vazhdon të jetë e pasigurt. Ndërsa Policia Rrugore, me sa duket, mjaftohet vetëm me shtimin  gjobave, ndërkohë që, drejtues mjetesh shkelin hapur rregulloren e qarkullimit e nuk ndëshkohen. Ndërsa pasojat i vuajnë njerëzit me jetën e tyre…