Trafik njerëzish nga Franca në Angli, arrestohet banda shqiptare

475
Sigal

Një grup trafikantësh shqiptarë janë arrestuar nga policia franceze, pasi trafikonin njerëz nga brigjet e Francës në ato të Anglisë. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja britanike “Daily Mail” e cila ka publikuar fotot e një gomoneje që kishte sjellë emigrantë në zonën e Kentit, në jug të Anglisë. I rekrutuari për të ndërmarrë këtë operacion trafikimi mësohet se është francezi David Turpin, i cili ishte fotografuar nga banorë të Kentit mbi gomone sapo ka mbërritur në brigjet angleze.

Sipas britanikes “Daily Mail” Turpin sapo kishte sjellë një grup emigrantësh nga zona e Calais (Kale) në Francë, të cilët kishin paguar 10 mijë stërlina secili. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, ai ishte shprehur se kishte ngatërruar rrugën gjatë natës në det dhe se gomonja i ishte prishur në zonën e Kentit, ndërsa nuk ka dhënë sqarime për 16 jelekët e shpëtimit që u gjetën në gomone.

Sipas banorëve të zonës së Kentit, të cilët e kishin fotografuar a Turpin mbi gomone në breg të detit,ai u kishte thënë se do t’u paguante 2.800 stërlina për ta fshehur gomonen, në mënyrë që ta merrte një ditë më pas.

Turpin u arrestua në zonën Dunkirk në Francë, së bashku me 5 persona të tjerë, të përfshirë në një rrjet trafikimi njerëzish të drejtuar nga shqiptarë. Secili nga pjesëtarët e grupit të trafikantëve rrezikon të dënohet deri në 10 vite burg.