Tirana si Kabuli, shpërthime me tritol në zemër të Kryeqytetit

302
Sigal

Shqipëria është mbërthyer nga kthetrat e krimit, trafikut të drogës, klandestinëve, prostitucionit dhe aksidenteve. 120 vrasjet më të bujshme janë ende pa autor, ndërkohë që organika e Policisë së Shtetit u rrit me 500 persona më shumë, duke u kushtuar taksapaguesëve mbi 5 miliardë lekë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kryeqytet, në kryqëzimin e Selitës, tek vendi i quajtur ura e “Nesherakut”. Në mes të rrugës një makinë ka shpërthyer si pasojë e vendosjes së një sasie tritoli. Një person ka mbetur i plagosur,  i cili po lufton me vdekjen në spitalin e Traumës.  Sikurse shihet  edhe nga pamjet, shpërthimi ka dëmtuar thuajse të gjithë makinën, si dhe janë dëmtuar edhe makina të tjera që kanë qenë duke udhëtuar. Shënjestra e kësaj ngjarje të rëndë është Preng Gjini, vëllai  i të ekzekutuarit një vit më parë në qendër të Rrëshenit, dyshohet se atentati i është bërë me telekomandë.

Qytetarët të tmerruar

Tirana i ngjan Kabulit dhe Bejrutit, por aspak një kryeqyteti europian. Ngjarja ka tronditur shumë  kryeqytetasit. Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve është mbledhur në zonën e “Neshrakut” ku ka ndodhur dhe shpërthimi. Të shtyrë nga frika dhe nga kurioziteti, qytetarët janë të shumtë në vendin e ngjarjes, ku shpërthimi i fuqishëm duket se ka tronditur të gjithë banorët aty rrotull.

Ishte pranë automjetit që shpërtheu, një italian i plagosur

Drejtori i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi ka dhënë detaje për shpërthimin e dyshuar me lëndë plasëse në kryeqytet, duke sqaruar se përveç Preng Gjinit, është lënduar edhe një shtetas italian që është dërguar në spitalin e Traumës për mjekim, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

120 vrasjet e bujshme që janë ende pa autor

Në 6 vitet e fundit 382 vrasje kanë ndodhur në vendin tonë. Ekzekutime mafioze, krime në familje apo hakmarrje, janë disa nga kategoritë e vrasjeve në Shqipëri. Gjithashtu përgjatë kësaj periudhe janë kryer 758 atentate, që shpesh kanë lënë pasoja të rënda për shumë persona, duke i lënë ata të gjymtuar.

Shumica e këtyre vrasjeve janë zbardhur, por më shumë se 120 prej tyre, sot ende nuk kanë asnjë autor të dyshuar, apo arrestuar.

Vrasja më e bujshme për të cilën nuk u gjet asnjë provë se kush e kreu apo e urdhëroi, është ajo e Artan Santos në 2014. Ish-bankieri u qëllua sapo doli nga makina për të shkuar në zyrë.

Një tjetër dosje e arkivuar është ekzekutimi i Ajet Zeqajt në 2016-në në Tiranë. Ai u qëllua 20 ditë pasi u kthye nga Franca, nga një autor që u dyshua vrasës me pagesë jashtë  Shqipërisë. Edhe vrasja e ish-policit Arben Bilali sot nuk ka autor.

Po kështu disa nga ngjarjet në Shkodër në vitin 2018 ngelen të pazbardhura, mes tyre ajo e vrasjes së Boran Bercnes dhe Silvi Ndocit.

Elbasani është një nga qytetet me numrin më të lartë të vrasjeve dhe atentateve në vitet e fundit, ku autorët që ekzekutuan Endrit Alibeajn, Arben Dylgjerin dhe turkun Erdal Durunay në 2018, mbeten mister.

Në muajin Mars të një viti më parë, Elbasani u trondit edhe nga vrasja e avokatit Ravik Gurra, ku ende nuk ka asnjë provë apo gjurmë të autorëve.

Lushnja i është rikthyer ngjarjeve kriminale, ku ekzekutimet e Enver Boriçit dhe Besnik Hidës përgjatë 2018-2019 nuk kanë autor të arrestuar.

Vitet e fundit është vënë re shtimi i vrasjeve me pagesë në Shqipëri.

Policia e korruptuar e Ramës u pagua mbi 4 milionë euro në vit

‘Policia politike dhe e korruptuar e Edi Ramës punësoi mbi 500 persona dhe u pagua mbi 4 milionë euro në vit’. Departamenti i antikorrupsionit, aksesit në shërbime dhe transparencës, deklaroi se vendimi për të krijuar një shoqëri me kapital tërësisht shtetëror, me objekt veprimtarie, ofrimin e shërbimit me pagesë në fushën e rendit dhe sigurisë, u denoncua nga Partia Demokratike në gusht 2009, si antiligjor i cili bie ndesh me ligjin e prokurimit publik, referuar detyrimit të të gjithë institucioneve shtetërore për të lidhur kontratë për shërbimin e sigurisë me këtë shoqëri, duke shmangur konkurrencën dhe duke përbërë një ndihmë shtetërore për kompaninë në fjalë, duke shkelur në këtë mënyrë dhe MSA. Sipas PD-së, vetëm për një periudhë 1 -vjeçare, bazuar në të dhënat e thesarit, kjo shoqëri ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 4 mln $. Aktualisht kompania ka 500 punonjës për shërbimin e ruajtjes dhe 72 punonjës së administratës së saj, numër i cili është projektuar të rritet. “Në fakt, qëllimi kryesor i kësaj skeme qëndron larg atij të rritjes së cilësisë dhe uljes së kostove. Kjo skemë është ideuar për t’i ardhur në shërbim një qëllimi shumë më madhor dhe jetik për kryeministrin e PPP-ve, ortakun e krimit të organizuar, autorin e kanabizimit të vendit, rrënuesit të ekonomisë dhe zbrazjes së vendit: krijimi i një policie politike, e cila më shumë se kurdo, do t’i duhet dhe do të përpiqet  t’i vijë në ndihmë në zgjedhjet e ardhshme”, -deklaron ndër të tjera PD.