Terror me armë në një lokal nate, policia jep detaje për ngjarjen, po kërkon autorët

480
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në një lokal me muzikë live i cili alarmoi qytetin e Korçës pas breshërisë të plumbave. “Më datë 25.11.2017, në aksin rrugor Korçë-Dishnicë, jemi njoftuar së në drejtim të një lokali me muzikë live, është qëlluar me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë. Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasit A. Qiraxhi, 23 vjeç dhe shtetasi A. Babani, 18 vjeç, së bashku me disa shtetas të tjerë bashkëpunëtorë të dyshuar të tyre, janë pozicionuar me dy automjete përpara lokalit dhe kanë goditur me dy armë zjarri tip kallashnikov dhe pistoletë, në drejtim të këtij të fundit,” njofton policia. Këta shtetas më pas kanë hyrë në lokal dhe kanë goditur me mjet të mprehtë shtetasin A. K dhe kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin A. L, (pronari dhe administratori i lokalit). Shtetasi A. K, ka marrë mjekim në Spitalin e Korçës dhe nuk ka probleme për jetën. Motivi i kësaj ngjarje dyshohet të ketë qenë një konflikt i vjetër për motive të dobëta, ndodhur midis këtyre personave. Policia e Korçës me të gjitha strukturat në varësi të saj, janë vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar të ngjarjes, si edhe kanë ngritur grupe të shumta kontrolli për krehjen e zonës. Nga kontrollet e kryera në afërsi të fshatit Lubonjë, janë gjetur të braktisura të dyja automjetet tip “BMW” me targa AA848FG brenda të cilit u gjetën shkopinj druri, një sëpatë dhe dy gjerdanë me fishekë dhe mjeti tip “BMW” me targa AA 267ND, të cilat ishin përdorur nga autorët. Forcat policore vijuan me krehjen e territorit në fshatrat përreth. Në vijim të veprimeve proceduriale, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin lokal dhe kamping në pronësi të shtetasit Feridon Babani, babait të njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, në vendin e quajtur “Rezervuari i Gjançit” janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 44.6 gramë lënde e dyshuar si narkotike Cannabis Sativa, municione luftarake, aksesorë dhe mjete të ndryshme për përdorim të lëndëve narkotike.
Sigal