Tentoi të kalonte 5 emigrantë kundrejt 900 eurove, arrestohet 44-vjeçari

108
Sigal

Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në Morinë.

Vihet në pranga 1 shtetas, i cili u kap duke transportuar me automjet, emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit si dhe sekuestrohen automjeti dhe 900 euro.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga policia, në fshatin Morinë, në afërsi të kufirit me Kosovën, duke transportuar me automjet, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilët do t’i ndihmonte që të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, kundrejt fitimit.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, në zbatim të planit të përbashkët të masave për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë vijuar kontrollet intensive, për këtë qëllim. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi L. S., 44 vjeç, banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti dhe 900 euro.” – njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.