Të akuzuar për vrasjen e policit në 2013, Prokuroria: 75 vite burg dy autorëve

436
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin në total me 75 vjet burgim për dy shtetas, të akuzuar për “vrasjen e punonjësit të policisë”, të mbetur në tentativë, për një ngjarje të ndodhur në datë 24.10.2013, ku Shaban Lami dhe Renato Kazani kanë vendosur lëndë ekspozive në mjetin e komandantit të njësive të patrullës së përgjithshme të komisariatit nr. 6, Tiranë, Sh. Toplana. Lënda plasëse, rreth 500 gramë tritol, ka shpërthyer në momentin që në të po hipte punonjësi i policisë, duke e shkatërruar mjetin, por pa i shkaktuar dëme objektivit të atentatit.

Nga hetimi rezultoi se shtetasi Shaban Lami, në atë kohë punonjës policie në Komisariatin nr. 5, Tiranë, kishte debatuar me objektivin Sh.Toplana, njëkohësisht koleg i tij, për faktin se patrullat e komisariatit nr.6 i kishin ndaluar të birin, shtetasin Ervis Lami, pasi udhëtonte me një automjet pa dokumentacion. Për këtë arsye, duke diskutuar edhe me disa miq të të birit, të cilët kishin pakënaqësi ndaj punonjësit të policisë Toplana prej kohës kur ky i fundit punonte në komisariatin nr. 5, në Kamëz, vendosën të hakmerren ndaj tij. I pandehuri Shaban Lami, së bashku me të pandehurin Renato Kazani kanë organizuar atentatin ndaj efektivit Sh. Toplana, me veprime aktive, duke siguruar, vendosur dhe shpërthyer lëndën plasëse në mjetin e Toplanës, me qëllim vrasjen e tij. Pavarësisht se qëllimi kriminal përfundimtar, vrasja e efektivit të policisë Sh. Toplana, nuk u realizuar përfundimisht, dy të pandehurit kanë kryer të gjithë veprimet për të finalizuar veprimet e tyre.

Për këtë arsye, në përfundim të procesit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin e tyre, përkatësisht:
– Dënimin me 30 vjet burgim për shtetasin Shaban Lami
– Dënimin me 35 vjet burgim për shtetasin Renato Kazani
Sigal