Sot ministri Ilir Beqja shkon në gjyq

543
Sigal

TIRANË- Sot ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja përballet në gjyq me ish- kreun e Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari. Nëse dikush denoncon korrupsionin apo shkeljen e ligjit nga një ministër, mund të përfundojë shumë lehtë në dyert e gjykatave me objektin e “prishjes së imazhit publik”, apo “të shpifjes”. Është momenti që Prokuroria, Anti-korrupsioni, Policia Gjyqësore, madje dhe mediat, të hetojnë dhe t’i shkojnë deri në fund denoncimeve që bëhen për shkeljen e ligjit, apo thënë ndryshe për korrupsion, në sektorin publik, pavarësisht emrit që akuzohet, sidomos në rastet kur denoncimet bëhen nga persona profesionistë, të cilët e njohin mirë atë për të cilën flasin. Është momenti që të hetohen një për një, të gjitha lejet e importit për barnat e paregjistruara të dhëna nga ministri Beqja, për të parë nëse janë dhënë në zbatim të Ligjit për Barnat. Është momenti që të hetohen të gjithë tenderët e shpallur nga ministri Beqja për barnat, pajisjet mjekësore, apo dhe shërbimet shëndetësore. Të gjykohet, nëse fituesit e tenderëve janë apo jo të paracaktuar nga ministri, në shkelje të ligjit “Për prokurimet publike”. Duhet parë dhe hetuar me kujdes origjina e barnave të importuar, nëse janë ato vende që përcakton Ligji për Barnat apo jo, kjo, edhe për të siguruar që barnat të cilat qarkullojnë në tregun tonë farmaceutik dhe përdorim të gjithë ne, janë të sigurta.

Ndërsa njihet mirë tashmë karriera e ministrit Beqja, për të cilin gjatë viteve 2000-2004, kur ishte Drejtor i Përgjithshëm i ISSH-së në raportet e auditimit të KLSH-së janë vërejtur abuzime dhe shkelje të ligjit. Por mos të harrojmë se në vitin 2009, Ilir Beqja u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë, por mandati iu hoq pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pasi kompania e tij fitoi tenderin për pajisjen e bashkisë së Durrësit me sistemin elektronik. Kjo në dhunim të paragrafit 3 të Nenit 70 të Kushtetutës, i cili i ndalon kategorikisht deputetit që të sigurojë përfitime nga fondet publike.