Sindikata e Policisë së shtetit/ SHÇBA nuk ka kapacitetet të bëjë vetingun e uniformave blu, procesi nuk është i pavarur, cënohet cilësia

374
Sigal

Parlamenti ndryshoi ligjin për Vettingun në Polici, duke ia lënë këtë si kompetencë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesa, një institucion në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Me ligjin e ri të miratuar në seancën e 28 marsit nga Parlamenti, propozohet që punonjësit e SHÇBA-së të kalojnë të gjithë vlerësimin në fazën e parë. Ligji që ishte në fuqi parashikonte që vetëm Drejtori i Përgjithshëm, Zëvendësdrejtori, drejtorët dhe shefat e sektorëve e kalonin vlerësimin në fazën e parë. Vlerësimi i fazës së parë kryhet nga një komision i jashtëm me 15 anëtarë, i asistuar nga një sekretariat teknik me po 15 anëtarë. Por me ligjin e ri propozohet që të jetë SHÇBA-ja ajo që do të kryejë vlerësimin e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, pra punonjësit e nivelit të mesëm drejtues dhe të atyre të nivelit bazë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i ka komentuar këto ndryshime ligjore lidhur me faktin se kjo do të ulte koston financiare dhe se ngarkimi i SHÇBA-së me vlerësimin e punonjësve në fazën e dytë dhe të tretë, pra rreth 12 000 punonjës, i kursen buxhetit të shtetit rreth 260 milionë lekë. Një ndër argumentet e tjera për Ministrinë e Brendshme është se ky proces nuk garanton të njëjtën pavarësi dhe paanshmëri, sa kohë nuk ndryshojnë as kriteret as procedurat e vlerësimit. Ndryshimet e ligjit “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat, në Ministrinë e Brendshme” për kreun e Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta në një prononcim për Gazeta “Si” shprehet se ky ndryshim ligjor i miratuar së fundmi nga Parlamenti nuk do të garantojë një proces të pavarur të verifikimit të punonjësve të uniformave blu. “Një ligj që del nga Parlamenti dhe që nuk zbatohet ka efekte negative si në organizatën Policore ashtu edhe ne opinionin publik. Ligji i SHÇBA-së i jep mjaft akses kësaj strukture për të kontrolluar verifikuar apo hetuar shkeljet e cilit do punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës . Besoj ky ligj e bën mjaft të përgjegjshëm dhe autoritar këtë strukturë në duart e Ministrit të Brendshëm për të pastruar policinë e shtetit nga punonjës të inkriminuar. Nuk ka pse t’i mbingarkohet kësaj strukture dhe ligj tjetër për Vettingun”, shprehet Fishta për gazeta SI. Kështu ky proces i filtrimit të kandidaturave mund të vihet në dyshim pasi struktura e posaçme është në varësi të ministrit.


“Zbatimi i Vettingut nga SHÇBA, vë në dyshim transparencën e Vettingut ndaj interesit publik dhe organizatës së Policisë, duke monopolizuar e seleksionuar informacionin për nivelin e mesëm e bazë të punonjësve të policisë, duke ia lënë këtë kompetencë Ministrit dhe të strukturës vartëse të tij (SHÇBA-së). Kjo reformë me këto ndryshime nuk mund të quhet e pavarur të paktën për nivelin e mesëm dhe bazë të punonjësve të policisë”, pohon më tej Fishta. Gjithashtu sipas Fishtës mos përcaktimi i një afati se kur do të zgjasë ky proces do të ndikojë pasi, krahas ngarkesave të tjera psikologjike, punonjësve të policisë i shtohet dhe Vettingu, i cili sot ka një fillim dhe nuk ka mbarim. Ligji i njohur si Vettingu në Polici u miratua nga Parlamenti me 76 vota pro, 6 kundër dhe 6 abstenim. Por kjo nismë e qeverisë u kontestua nga ana e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pasi rrëzonte pikërisht ligjin që kishte mbrojtur një vit më parë.
Për Xhafajn, institucioni i SHÇBA-së nuk mund të bëjë një filtër të tillë, pasi e para është në varësi të ministrit dhe mund të cenohet pavarësia e procesit dhe e dyta sepse SHÇBA-ja nuk ka kapacitetet e nevojshme. “Keqardhje që me alibi false nuk u bë i zbatueshëm në kohë, por për dy vite futëm në procesin e zbatimit në drejtësi. Gjithsesi më mirë se vonë se kurrë, nuk është herezi ndryshimi i një ligji, por në vlerësimin tim ndryshimet nuk janë të duhura në disa arsye, mund të cenohet pavarësia e procesit. Kemi të bëjmë me skanim të veçantë, dhe nuk mund të bëhet nga SHCBA, në varësi të ministrit.

Një nga sukseset e Vettingut në Drejtësi është se është i besueshëm nga të gjithë. Së dyti cenohet cilësia dhe shpejtësia e procesit. SHÇBA-ja nuk ka kapacitetet për ta kryer këtë proces. T’i besojmë Vettingun 13 mijë punonjësve një institucioni që ka 100 punonjës vlerësoj se do ta ngadalësojë procesin. Argumenti financiar nuk është i justifikuar, ajo shumë që mendohet se do të kursehet 2 mln euro, është e papërfillshme nga ajo që pritet. Por një gjë është pozitive,nuk preket thelbi i vlerësimit dhe kriteret” do të shprehej Xhafaj në Parlament. Ish-ministri pavarësisht kontestimeve preferoi që të abstenonte me votën e tij gjatë votimit të ligjit të ri për Vettingun në Polici.