Siguronin diploma false për 1800 € Gjykata vendos burg për 5 persona

474
Sigal

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 persona të cilët akuzohen se shpërndanin diploma false të shkollës së mesme kundrejt shumës 1800 euro.
 
Pas një hetimit të Prokurorisë së Tiranës, njësia Task-Force, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, gjykata ka dënuar: Afete Koka,  Gramoz Shehu,  Arbër Pelo, Andrea Haxha, drejtor i një gjimnazi publik në Fier dhe Aleksia Troka, sekretare në gjimnazin publik në Fier.

Në bazë të veprimeve hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin krijuar një grup që siguronte diploma gjimnazi fallse për persona të ndryshëm në këmbim të shumës 1800 euro.

Sipas skemës së zbërthyer nga Prokuroria e Tiranës, rezulton se këta shtetas, 3 prej të cilëve nga Tirana, viheshin në kontakt me persona që kërkonin të pajiseshin me diploma të shkollës së mesme dhe më pas komunikonin me drejtorin dhe sekretaren e gjimnazit publik në Fier për t’i pajisur me dokumentin që dëshmonte se kishin përfunduar studimet e mesme.

Zyrtarët arsimore, pasi i përfshinin në mënyrë fiktive si të regjistruar në shkollën e tyre, u kërkonin personave që kërkonin diplomë gjimnazi të merrnin pjesë në Provimin Shtetëror të Maturës. Lidhur me rezultatet e kërkuesve të diplomës në këtë Provim, zyrtarët e gjimnazit ndërhynin në rezultatin përfundimtar, duke u dhënë atyre notë kaluese. Për këtë shërbim, të gjithë personat e përfshirë ndanin shumën prej 1800 eurosh për person.