Si u ul në Shqipëri dënimi i dhënë në Itali për Edmond Begon

625
Sigal

Gjykata e Torinos në Itali e kishte dënuar me 27 vjet e 8 muaj burg në vitin 2007, Gjykata e Lartë në vendin tonë me 4 vjet e 4 muaj burg

Gjykata e Torinos në Itali e kishte dënuar shqiptarin Edmon Bego me 27 vjet e 8 muaj burg në vitin 2007. Po pas njohjes së dënimit nga drejtësia shqiptare, Bego u dënua përfundimisht nga Gjykata e Lartë në vendin tonë me 4 vjet e 4 muaj burg.

Dënimi nga Gjykata e Torinos, Itali

Ajo i dha 27 vjet e 8 muaj dënim Begos, 1/3-a e së cilit u ul për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke e çuar në 18 vjet e 5 muaj burg. Ky vendim është kundërshtuar në Apelin e Torinos, gjykatë e cila ndryshoi dënimin me 27 vjet të Shkallës së Parë në 21 vjet. Përfundimisht dënimi shkoi në 14 të tilla, pas uljes për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata e Kasacionit Romë lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Torino. Ka qenë prokuroria e kësaj të fundit, ajo që thuajse një javë më vonë nga marrja e formës së prerë të dënimit, ka urdhëruar uljen e tij me tre vjet, duke e çuar në 11 vjet dënimin për atë që ndryshe njihet si Manoli Bega. Kjo për shkak të ligjit italian për amnistinë e përgjithshme.

Njohja e dënimit në Shqipëri

Pas një letre që ministri italian i Drejtësisë i ka drejtuar homologut të tij në Shqipëri, për ekzekutimin e vendimit për të dënuarin Bego, Ministria e Drejtësisë, asokohe nën drejtimin e Bujar Nishanit, në 25 Nëntor 2009 i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për njohjen e vendimit, që dënonte me 11 vjet burg Edmond Begon. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë mori vendim për arrestim dhe njoftoi të dënuarin. Më pas ka qenë prokuroria ajo që i është drejtuar gjykatës për njohjen e vendimit dhënë nga Gjykata e Torinos. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 12. 03. 2010 kishte njohur vendimin penal italian, duke e dënuar Edmond Begon me 7 vjet burgim. Si arsyetim për uljen e këtij dënimi ishte ligji italian nr. 241/2006, për Amnistinë e Përgjithshme, si dhe neneve 174 të K. Penal Italian dhe 672 të K. Pr. Penale italiane, sipas të cilave ai kishte përfituar një ulje dënimi prej tre vjet burgim. Edhe Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e datës 02. 06. 2010, kishte lënë në fuqi të njëjtin vendim. Ndërsa Gjykata e Lartë arsyetoi disi më ndryshe. “Nga aktet e dosjes gjyqësore rezulton se Gjykatat e faktit kanë pranuar të provuar se me vendimin të Gjykatës së Torinos, ndërmjet të tjerash, shtetasi shqiptar Edmond Bego (Manoli Bega) është dënuar me 27 vjet e tetë muaj burgim. Në aplikim të nenit 442 të K. Pr. Penale italiane (që i korrespondon neni 406 i K. Pr. Penale të Republikës së Shqipërisë për gjykimin e shkurtuar), ai është dënuar përfundimisht me 18 vjet, 5 muaj e 10 ditë burgim. Kundër këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit, Torino, Itali ku ai është dënuar me 21 vjet burgim. I është ulur 1/3 e dënimit dhe është dënuar përfundimisht me 14 vjet burgim”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Duke marrë parasysh edhe vendimin maksimal të legjislacionit shqiptar për këto vepra penale, Bego duhej të dënohej me 11 vjet burg. Por me të gjitha uljet e mundshme, dënimi arriti në 4 vjet e 4 muaj.

Arsyetimi i vendimit të Gjykatës, 21 vjet burg për Edmond Begon u bënë 4.4 vjet,

Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që përbëhet nga Gazi Dizdari, kryetar, dhe anëtarë: Fatos Lulo, Besnik Imeraj, Andi Çeliku dhe Majlinda Andrea mban datën 15 shtator 2010. Ai ishte në gjykim për akuzën “prodhim dhe trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike apo psikotrope”, “organizatë që ka qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, “organizim dhe drejtim të organizatës kriminale.” Arsyetimi i vendimit: Ky Kolegj çmon se nisur nga fakti që minimumi i dënimit me burgim që parashikojnë dispozitat e neneve 283/a /I dhe 284/a/I të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë është 10 vjet burgim, pas aplikimit dhe të dispozitës së nenit 55 të këtij kodi, shtetasit shqiptar Edmond Bego, (Manoli Bega) duhet t’i caktohet një dënim përfundimtar prej 11 vjet burgim. Mbi këtë masë dënimi duhet të zbatohet dispozita e nenit 406 të K.PR. Penale si dhe ulja prej 3 vitesh burgim, të cilën shtetasi shqiptar Edmond Bego e ka përfituar për shkak të aplikimit të ligjit nr 241/ 46 për Amnistinë e Përgjithshme. Në përfundim Kolegji Penal vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr 431 datë 02:06: 2010 të Gjykatës së Apelit të Tiranës, për sa i përket njohjes së vendimit nr 1735 datë 22.04. 2008 të Gjykatës së Apelit Torino. Ndryshimin e këtij vendimi për sa i përket konvertimit të këtij dënimi duke i caktuar të dënuarit Edmond Bego dënimin e tij me 11 vjet burgim. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr. Penale dënimin e tij me 7.4 vjet burgim. Në aplikim të ligjit italian nr 241/45 për Amnistinë e Përgjithshme i zbriten 4 vjet duke u dënuar përfundimisht me 4.4 vjet burgim. Në një kohë që nuk pranohet kërkesa për ekstradim nga Italia nuk është pranuar.