Shqiptarët të specializuar për heroinën “Cobret”. Operacioni në Itali, si u zbulua karteli me 4 grosistë

596
Pas informacionit paraprak, policia italiane jep të dhëna për operacionin anti-drogë të finalizuar me 26 urdhër-arreste, 7 prej të cilëve shqiptarë.
Me urdhër të Prokurorisë së Napolit – Drejtoria Rajonale e Antimafias (DDA) dhe dhe Antiterrorizmi, që në orët e para të mëngjesit më shumë se 100 efektivë të GDF të Marcianise dhe të reparteve të tjera të Komandës Rajonale të GDF në Caserta, kanë nisur zbatimin e urdhër-arresteve për 26 persona, prej të cilëve 21 me burg dhe 5 në arrest shtëpie. Të gjithë personat të hetuar si pjesë e një organizate kriminale transnacionale të trafikut ndërkombëtar të drogës si heroinë, kokainë e marijuanë. Grupi furnizonte gjithë zonën e Napolit dhe Casertas.
Hetimet nisën në maj të vitit 2016 kur efektivët e Kompanisë së Guardia di Finanza të Marcianise vunë nën vëzhgim të rreptë një rrjet shpërndarësish droge që vepronte në zonat e Marcianise, Capodrise, Macerata Campania dhe Portico di Caserta. Kjo fazë e parë u mbyll me sekuestrimin e mbi 250 dozave heroinë të llojit “Cobret” dhe arrestimin e 4 shpërndarësve, pjesë e grupit kriminal.
Duke u nisur nga gjetjet e para, me koordinimin e Prokurorit të Napolit – Antimafia, u arrit të ngjitej në kanalet nga ku kalonte droga, duke zbuluar një përbërje kriminale shumë më të artikuluar dhe më të gjerë.
Nga hetimet e mëvonshme, doli se në zonën midis Casandrino, Grumo Nevano, Melito dhe Acerra vepronte një rrjet i vërtetë trafikantësh që bashkëpunonin mes tyre për të importuar heroinën nga jashtë.
Një kartel i vërtetë prej 4 grosistëshqë binin dakord të vendosnin kapitalin e nevojshëm për të bërë blerje kumulative dhe pastaj të ndanin sasitë që do të shpërndaheshin në territorin nëpërmjet ekipeve të tyre me pakicë.
Në shërbimin e përbashkët të organizatës ishte gjithashtu një rrjet ndërmjetësish dhe korrierësh gjithmonë të gatshëm për të hyrë në veprim për shpërndarjen e drogës dhe transportin në Itali.
Përtej kufijve kombëtarë një tjetër taraf kriminal i qëndrueshëm i formuar nga shtetas shqiptar që furnizonin italianët me çdo lloj narkotikësh të kërkuar, por mbi të gjitha të specializuar në heroinën e tipit “Cobret”, shumë të kërkuar në sheshet e zonës napolitane.
Një sistem furnizimi i kolauduar që garanton një fluks të vazhdueshëm të drogës që vinte nga Turqia dhe Hollnda, dhe që hynte në Itali gjithmonë përmes Shqipërisë.
Për këtë arsye, Prokuroria e Napolit ka aktivizuar menjëherë një kanal bashkëpunimi gjyqësor me drejtësinë shqiptar, që lejoi marrjen e shpejtë të informacioneve të rëndësishme rreth grupit kriminal që vepronte atje, që ishte ndërkohë duke u hetuar nga Prokuroria e Tiranës.
Korrespondenca pasoi një takim operativ në Departamentin e Anti-Mafias në Itali, ku morën pjesë magjistratët dhe përgjegjësit e policisë, si dhe përfaqësuesit e zyrës ndërlidhëse të Policisë Shqiptare të Barit, Departamentit Qendror të Shërbimeve Anti-drogë (DCSA) dhe të Shërbimit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Policor të Departamentit të Sigurisë Publike në Romë.
Përveç rindërtimit analitik të përgjegjësive dhe roleve të personave të hetuar, hetimi bëri të mundur që të kryhen disa sekuestrime në përgjigje të hipotezave hetimore. Në veçanti:
– Në gusht të vitit 2016, në portin e Brindisit, u sekuestruan 38 kg marijuanë brenda një kamperi të zbritur nga një anije që vinte nga Greqia;
– Në dhjetor të vitit 2016, një makinë u kap në autostradë në drejtim të Napolit, sapo kishte zbritur në portin e Brindisit. U sekuestruan 5.2 kg heroinë të transportuar në 15 pako.
– Në janar 2017, në portin e Barit, u ndalua një grua italiane shtatzënë, e sapo zbritur nga një anije që vinte nga Durrësi, me 2 qese heroinë, rreth 630 gram;
– Sërish në janar 2017, në stacionin hekurudhor të Casertas, u ndalua një korrier italian që kishte zbritur në mëngjes në aeroportin e Barit dhe që vinte nga Shqipëria. Iu gjetën 38 ovula herone, me peshë rreth 1 kg.
– Në mars të vitit 2017, u sekuestruan më shumë se 1 kg heroinë gjetur në çantën e shpinës të një korrieri shqiptar që sapo u ul në Bari.
Kështu, u krijua një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse për të rindërtuar në detaje tërë zinxhirin e trafikimit dhe shpërndarjen e narkotikëve dhe duke marrë parasysh rreziqet e subjekteve të hetuara, Gjykata e Napolit ka urdhëruar arrestimin e 26 personave (19 italianë dhe 7 shqiptarë).
Lidhur me ekzekutimin e masave mbrojtëse personale, Prokurori gjithashtu urdhëroi konfiskimin, e të gjithë pasurive të personave nën hetim që nuk justifikohej nga të ardhurat e ligjshme që deklaronin.


Sigal