Shqiptarët furnitorë të kokainës, si u zbulua trafikimi i 70 mln euro drogë

56
Sigal

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar me urdhër të SPAK, si pjesë e një grupi kriminal që ka trafikuar 2 ton kokainë nga Amerika Latine në Itali. Hetimet e përbashkëta mes autoriteteve italiane dhe SPAK çuan në kontrollin e 18 banesave në Kavajë dhe Pukë.

Julian Kollçaku dhe Maksim Ndoci janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “BOCA DEH RIO” nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas hetimeve që kishin nisur në vitin 2021 nga antimafia e Firencës. Dërgesat e drogës, të cilat niseshin nga Amerika Latine, mbërrinin në portet italiane të Livoros, Gevonas dhe Savonas.

NOA

Zbardhja e komunikimeve në aplikacionin SKY ECC ka luajtur një rol kyç në zbulimin e rrjetit, ku bënin pjesë edhe shqiptarët. Grupi kriminal përdorte pajisje radiolokalizimi dhe GPS për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, e cila fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me fruta ekzotike ose në hapësira të posaçme të krijuara për këtë qëllim.

Ky grup kriminal, i përbërë edhe nga shtetas italianë dhe rumunë, është përgjegjës për trafikimin e dy ton kokainë, e cila nëse do të hidhej në treg, do të përfitoheshin rreth 70 milionë euro. Gjatë kontrolleve në 18 banesa në Shqipëri, kryesisht në Kavajë dhe Pukë, janë gjetur dhe sekuestruar para cash, automjete luksoze dhe ora të markave të shtrenjta.

Sky ECC ka ofruar informacione të rëndësishme që kanë ndihmuar në angazhimin e grupeve të përbashkëta hetimi mes SPAK dhe autoriteteve të huaja, për zbardhjen e trafikut të narkotikëve, si në Shqipëri, ashtu edhe për shtetasit shqiptarë që kanë dominim në tregtimin e kokainës nga Amerika Latine në Europë.