Shqipëri-Itali, duhet urgjentisht operacione të përbashkëta kundër kanabisit

488
Shqipëria dhe Italia duhet të nisin urgjentisht operacione të përbashkëta në luftën kundër kultivimit të kanabisit në të gjithë territorin e Shqipërisë si dhe për goditjen e grupeve kriminale në këtë fazë.

Kjo kërkesë është bërë nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë takimit me delegacionin e misionit italian INTERFORZE të kryesuar nga Gjeneral Gennaro Capoluongo, Drejtor i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë italiane

“Ministri Xhafaj theksoi nevojën urgjente të nisjes së operacioneve të përbashkëta në luftën kundër kultivimit të kanabisit në të gjithë territorin e Shqipërisë si dhe për goditjen e grupeve kriminale në këtë fazë.

U diskutua gjithashtu, nevoja për intesifikimin e shkëmbimet të informacionit në kohë reale dhe pjesëmarrja në hetime të përbashkëta, në mënyrë që lufta kundër kriminalitetit të jetë sa më efikase dhe e koordinuar” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Gjeneral Gennaro Capoluongo ritheksoi se Italia do ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap dhe me të gjitha mjetet e nevojshme për përmbushjen e angazhimeve, të cilat janë me interes të përbashkët.

Gjithashtu pala italiane shprehu gadishmërinë edhe për organizimin e trajnimeve të përbashkëta në nivel ekspertësh nga pala italiane, me qëllim rritjen e profesionalizmit në kryerjen e hetimeve nga ana e Policisë së Shtetit me standartet më të larta evropiane.

Pjesë e delegacionit italian ishin: Gjeneral Gennaro Capoluongo, Drejtor i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë italiane, zv/Drejtori i Shërbimit të bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Kolonel Sandro De Angelis, Drejtuesi i Zyrës Ndërlidhëse INTERFORZE, Giovanni Conti si dhe Drejtuesi i Misionit PAMECA IV, Giorgio Butini.
Sigal