“Shkova ta ndihmoj, por flakët përpinë shtëpinë”- I moshuari i paralizuar digjet brenda banesës, flasin fqinjët: S’bëmë dot asgjë, policia erdhi me vonesë

144
Sigal

Një 73 vjeçar ka humbur jetën pasi banesa e tij u përfshi nga flakët. I moshuari me iniciale S. S., ndodhej i vetëm, kur në shtëpinë e tij ra zjarr.

Sipas fqinjëve, viktima ishte i paralizuar dhe ishte i vetëm në banesë në momentin tragjik. Një prej tyre i shpreh se në momentin kur vuri re flakët, vrapoi ta shpëtojë por nuk mundi dot, ndërsa shtoi se policia mbërriti me vonesë në vendngjarje.

“Kur mbërritëm, banesa kishte marrë flakë, nuk bëmë dot asgjë. Policia ishte shumë vonë, nuk erdhën në kohë. I moshuari ishte i sëmurë, i shtrirë brenda, flaka e mbyti përnjëherë. Bashkëshortja nuk ishte aty në momentin e zjarrit. Dy djemtë janë në emigrim. Nuk e dëgjuam të kërkonte ndihmë, vetëm kur pamë flakën. U futa brenda për ta ndihmuar, por nuk arrita dot. Flakët përpinë çdo gjë”, tha ai.

Ndërsa një tjetër, rrëfeu: “Jetonte me të shoqen, fëmijët i kishte jashtë. Në momentin e zjarrit ka qenë vetëm. Vinin fëmijët i vizitonin, ishte ne krevat, i paralizuar nuk lëvizte.”