Shkodra “Lazarati i dytë”

504
Pas shifrave zyrtare që paraqet Policia e Shtetit, vihet re lehtësisht se Shkodra është kthyer si Lazarati, duke prodhuar 35 % të kanabisit. Rreth 35% në rang kombëtar e zë ky rajon me parcelat e mbjella. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për rendin dhe sigurinë, Altin Qato, është shprehur se Shkodra dhe Shqipëria vijojnë të jenë në hartën gri për drogën. Deklaratën Qato e bëri gjatë një takimi në Shkodër për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. 
“Duhet ta heqim Shqipërinë dhe Shkodrën nga harta gri e kultivimit të bimëve narkotike. Nëse bëjmë një bilanc, Shkodra zë 35% me parcela me bimë narkotike, pra qarku me riskun më të madh për kultivimin e drogës. Duhet që zbulueshmëria të jetë më e lartë sepse është 10% në Shkodër, një shifër e ulët. Është e rëndësishme që të goditen autorët edhe ata që iniciojnë këtë aktivitet kriminal”, u shpreh Qato. 
“Institucionet po ashtu duhet që të shkëmbejnë informacione. Shqetësim në Shkodër janë disa pjesë gjeografike në zona të thella malore, në toka të pabanuara apo të pasaktësuara. Edhe këtu duhet që të ketë një identifikim se kush i ka këto toka apo çfarë bëhet me ta”, tha ai, ndërsa ka renditur zonat problematike. Sipas drejtorit Qato, ato janë: pjesa e Dukagjinit me fshatrat Shosh, Shalë, Pult, Puka me fshatrat Lufë-Qerret, Qelëz, Gjegjan, Qafë Mali, Iballë, Fierzë, Malësia e Madhe me zonat Shkrel, Kastrat, Kelmend edhe Vau Dejës me fshatrat Temal, Shllak apo Vig Mnelë dhe Shkodra me zona si Dajçi dhe Guri Zi.
Sigal