Shkatërrohet organizata kriminale, në pranga 11 shqiptar

394
Policia greke ka asgjësuar një tjetër organizatë kriminale të trafikut të drogës me lidhje të forta në disa shtete të rajonit. Pas një operacioni në shkallë të gjerë që zgjati dy ditë dhe u shtri në 20 zona të Athinës, policia njoftoi të premten pasdite se janë arrestuar 14 persona, tre shtetas grekë dhe 11 shqiptarë.
Bashkëpunëtorë të së njëjtës organizatë kriminale, konsiderohen 10 persona të tjerë, që aktualisht po vuajnë dënime në burgjet greke. Ndërkaq, në kërkim janë shpallur dy shtetas të tjerë grekë dhe tre shqiptarë. Organizata kriminale akuzohet se importonte nga Turqia dhe trafikonte në Greqi sasira të mëdha heroine, kokaine dhe kanabisi. Sipas policisë, çështja ka lidhje me pesë dosje të ngjashme të zbardhura gjatë muajit Maj dhe ku implikohet edhe Klemend Balili. Gjatë operacionit të fundit u zbuluan edhe dy laboratorë ku përpunohej heroina, ndërsa në banesa, vende magazinimi dhe automjete të të arrestuarve, u gjetën dhe u sekuestruan 7,1 kg heroinë, sasi kanabisi e papërpunuar dhe 5,5 kg të një lënde të papërcaktuar që përdoret për përpunimin e drogës.
Sigal