Sherri për një vajzë, 17-vjeçari shqiptar vdes në spital pas goditjeve me thikë

581
17-vjeçari shqiptar Pandi Lavdari që mbeti i plagosur rëndë me thikë pas një sherri për një femër, nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë pasditen e sotme në spital në Pavia, Itali.
Sipas mjekëve thika i kishte prekur njërën mushkëri, çka ka bërë të pamundur që i riu shqiptar të mbijetojë.
Ndërkohë autori i krimit, Simone Maddaluno, 19 vjeç, i ashtuquajtur ‘rival’ i 17-vjeçarit është akuzuar për vrasje.
Sherri mes të dyve nisi të dielën në mbrëmje gjatë një feste në diskotekë. Për arsye se pëlqenin të dy të njëjtën vajzë, të rinjtë filluan të shtyheshin dhe provokonin njëri-tjetrin, megjithatë, atë mbrëmje çdo gjë u la me aq dhe të dy u kthyen në shtëpi, shkruan Milano Corriere.
Por sipas policisë, kjo nuk ishte hera e parë që dy të rinjtë konfrontoheshin me njëri-tjetrin, por nuk mendohej që do të arrinin deri në këtë pikë. Pasditen e së hënës, u takuan sërish aty ku mblidheshin me shokët e përbashkët. Në fillim u mendua se kishin lënë një pikë takimi për të qartësuar gjërat.
Sipas karabinierëve dhe dëshmive të të pranishmëve, thuhet se 17-vjeçari shqiptar provokonte shpesh. Pas rinisjes së sherrit, Simone goditi me thikë në gjoks të riun shqiptar, i cili ra menjëherë pa ndjenja në tokë. Pas alarmimit me britma, banorët e zonës thirrën menjëherë policinë.

Viktima Pandi_Lavdari 
Sigal