Sekuestrimi i “pallatit të drogës” në Tiranë, policia përplaset me banorët

605
Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për sekuestron preventive të pronave të biznesmenit të dënuar në Gjermani për trafik kokaine, dje ka nisur evidentimi i objekteve që do sekuestrohen.

Punonjës të Policisë së Shtetit, oficerë të Krimeve të Rënda dhe punonjës të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestrua dhe Konfiskuara nisën ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, në pallatin që ndodhet përballë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.
Në këtë objekt është vendosur sekuestro për 32 apartamente me sipërfaqe 3400 m2. Gjithashtu edhe për 3 njësi tregtare (lokale dhe dyqane) me sipërfaqe 3230 m2, që ndodhen në të njëjtin vend. Por ky proces që nisi të kryhej në terren nuk është pritur mirë nga banorët e pallatit dhe pronarët e njësive tregtare.
“Kjo nuk është e drejtë. Kemi 15 vjet që paguajmë taksa dhe kemi kontrata të rregullta”, shprehen disa nga pronarët. Ndërsa banorët e apartamenteve që do sekuestrohen thonë se e kanë të rregullt gjithë dokumentacionin e blerjes së pronave.
“Minimalisht duhej të ishim njoftuar në kohë. Vendimi qenka marrë që më datë 5 mars, ndërsa vijnë e na thonë sot që do sekuestrohen”, shprehen banorët.
Burime nga Policia e Shtetit thanë që momentalisht janë në pritje të vendimit të formës së prerë që do të marrë Gjykata. Dje është bërë evidentimi i pasurive që do të sekuestrohen dhe raporti i është paraqitur Prokurorisë. Nëse Gjykata do të vendosë përfundimisht sekuestrimin, atëherë banorët në rastin më të keq, do të detyrohen të paguajnë qiranë në shtet, derisa çështja të shqyrtohet në themel.
SEKUESTRIMI
Mbi 10 milionë euro pasuri në pronësi të një biznesmeni ndërtimi në Tiranë, janë sekuestruar dje nga Policia e kryeqytetit, në zbatim të vendimit të datës 5 mars të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Bllokimi i këtyre pronave është bërë pasi dyshohet të jenë përfituar me të ardhura nga krimi.
Sipas burimeve nga Policia, pronat e sekuestruara, troje, apartamente, biznese, makina, llogari bankare, etj., janë të biznesmenit Luan Spahiu (Pinari), 53 vjeç. Të njëjtat burime konfirmuan se Spahiu ka qenë i dënuar në vitin 2011, nga Gjykata e Frajburgut në Gjermani me 5 vite burg, pasi akuzohej për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Bëhet fjalë për lëndë narkotike të llojit kokainë në sasi të mëdha, që ai dyshohet se e kishte trafikuar nga Kolumbia ose Ekuadori në drejtim të Gjermanisë, por edhe disa vendeve të tjera të BE-së. “Ky shtetas është i dënuar më datë 10 mars 2011 nga Gjykata e Landit të Frajburgut me 5 vjet heqje lirie për ‘Trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike në sasi të mëdha’, numri i dosjes është ‘2 kls Js 7778/10 AK 20/10′”, tha Policia.
Sigal