Rrëfimi tronditës i së moshuarës: Djali do na vras po u lirua nga burgu

469
“Na ka rrahur keq. Është mirë të mos dalë nga burgu. Kemi shumë frikë nëse rikthehet në shtëpi”, ka deklaruar e moshuara për grupin hetimor të ngjarjes. Sipas saj, herën e fundit kur u dhunua nga i biri, në familjen e tyre në fshatin Dushaj të Bulqizës, kanë qenë fqinjët që lajmëruan Policinë. Por, ajo tregon se ka pasur raste edhe më të rënda, kur në mes të borës djali i ka nxjerrë jashtë familjarët.
Kur ka nisur dhuna e djalit ndaj jush?
Prej vitesh Faiku na rrihte. Dhjetëra herë ma ka nxirë trupin duke më goditur me grushte, shkelma e mjete të forta. Na e ka nxirë jetën. Ai ishte tmerri ynë. Sa hynte brenda na shante, na godiste dhe na fyente. Për të mos u bërë gazi i botës nuk i tregonim askujt. Na vinte rëndë të tregonim vuajtjet tona për shkak të dhunës së djalit. As në fshat dhe as te të afërmit tanë nuk kemi dëgjuar se djali në atë moshë rreh nënën.
Kujtoni ndonjë rast të veçantë të dhunës së Faikut ndaj jush?
Më keq jemi ndjerë në dimër, kur ka qenë shumë ftohtë dhe jashtë binte borë. Ai na nxirrte nga shtëpia dhe ne ishim të detyruar të futeshim në kasollen e bagëtive për të shpëtuar kokën. Ai është shumë i fortë dhe me një të goditur na rrëzonte përtokë. Sa herë na ka shkaktuar plagë. Unë kam vuajtur shumë nga djali im.
Cilat kanë qenë shkaqet e dhunës së djalit?
Asnjëherë nuk e kam kuptuar shkakun e vërtetë të dhunës së tij ndaj meje. E kam rritur me halle. Sa vinte ai ne rrinim si lepuj në shtëpi. Nuk guxonim as të bënim muhabet. Kohët e fundit nuk ishte në terezi. E humbi fare. Konsumonte edhe raki shumë. Ndoshta humbja e dy djemve e rëndoi shumë Faikun.
Do ta falni djalin tuaj dhe a dëshironi të rikthehet në shtëpi?
Në asnjë mënyrë. Nuk do ta fal. Shteti nuk duhet ta lirojë nga burgu. Kam dëgjuar se e kanë izoluar në Peshkopi. Ai nuk duhet të dalë nga qelia. Nëse del ne do të vuajmë me keq. Ai tani është bërë më i egër. Nuk e ka menduar se unë do ta denoncoja. Po doli na mbyti të gjithëve. Para se të lirohet Faiku shteti duhet të marrë masa për sigurimin e jetës sime. Unë kam marrë urdhër mbrojtje, por edhe pse ai është në burg unë kam frikë.
Sigal