Riatdhesohen 50 shqiptarë nga Britania, policia: Po marrim masa për vënien e tyre përpara përgjegjësisë

97
Sigal

50 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar nga Britania e Madhe, kjo pas marrëveshjes mes qeverisë sonë dhe asaj britanike.

Policia e Shtetit njofton se këta shtetas nuk përmbushnin më kushtet për qëndrim në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë policia ka marrë masa për verifikimet e nevojshme dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Në zbatim të marrëveshjes së ripranimit, ndërmjet qeverisë së Republikës të Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në fluturimet e organizuara janë riatdhesuar 50 shtetas shqiptarë të cilët nuk përmbushnin më kushtet për qëndrim në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me palën britanike, në kuadër të Task Forcës së përbashkët, ka marrë masa për verifikimet e nevojshme dhe për vënien përpara përgjegjësisë të shtetasve që nuk kanë respektuar detyrimet.

Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar me parterët për të parandaluar dhe ndëshkuar kalimin e paligjshëm të kufijve dhe apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që të zbatojnë legjislacionin në fuqi për rregullat e lëvizjes në BE dhe më gjerë.