Raporti i BE-së, kokaina e sekuestruar ka arritur në sasi rekord

265
Sigal

Raporti më i fundit i BE-së për drogën, tregon se izolimi i ka bërë më krijues trafikantët me mënyrën si furnizojnë përdoruesit, ndërsa të varurit kanë pasur vështirësi në marrjen e trajtimeve. Problemi i kokainës në Europë po përkeqësohet, me një sasi rekord prej 180 tonësh të kapura në 2018. 78% e të cilës erdhi nga vetëm tre vende: Belgjika, Spanja dhe Holanda.

Raporti tregon një rritje në pastërtinë e kokainës, duke vendosur përdoruesit në rrezik. Dërgesa të mëdha me drogë po kapen në portet e BE-së, por kjo tregon një infiltrim të grupeve kriminale të organizuara te rrugët e transportit.

“Aty ku ka drogë, shpesh ka edhe armë, krim dhe vrasje. Aty ku ka trafikantë droge, ka edhe krim të organizuar. 5 mijë grupe të krimit të organizuar janë aktive në Evropë. Më shumë se 1/3 merren me drogë. Tregtia e drogës mbështet krimin e organizuar me 30 miliardë euro në vit. Tregtia e jashtëligjshme e drogës është tregu më i madh kriminal në Bashkimin Europian”, tha Ylva Johansson, komisionere për Çështjet e Brendshme.

Policia dhe njësitë e trajtimit të drogës përqark Evropës duhet t’i marrin seriozisht këto paralajmërime, ndërsa punojnë për të zvogëluar rrezikun që drogat ilegale kanë si mbi sigurinë, ashtu edhe mbi shëndetin.