Pronari i lokalit që iu vendos tritol kërcënoi gazetarët, reagon policia e Kurbinit: Çfarë ndodhi

391
Sigal

Pas ngjarjes që u regjistrua dje në Laç, ku pas një shpërthim me tritol në një lokal, pronari i biznesit kërcënoi gazetarët, vjen reagimi i policisë. Duke marrë parasysh nga shqetësimi i bërë publik nga gazetarët, mes tyre dhe ai i ‘News24’ Prend Shota, se kishin marrë kërcënime, Policia e Kurbinit bën me dije se materialet referuar shtetasit me inicialet Ll.B., (pronari i biznesit) i janë referuar prokurorisë.

Kujtojmë se gjithçka ndodhi teksa gazetarët dhe opetatorët shkuan pranë lokalit ku ndodhi shpërthimi, ndërsa pronari i biznesit nuk i lejoi ata që të filmonin pasojat e sulmit. Po ashtu ka pretendime se pronari i lokalit kërcënoi edhe me armë gazetarët.

“Në lidhje me një lajm të publikuar në median elektronike ku shtetasi J.Sh., me profesion gazetar, është kanosur gjatë kryerjes së detyrës si dhe i ka dërguar mesazh shefit të Komisariatit të Policisë Kurbin ku i ka kërkuar ndihmë dhe ky i fundit nuk i është përgjigjur, ju sqarojmë se:
Nga specialistët e Seksionit për parandalimin dhe hetimin e ngjarjeve kriminale në Komisariatin e Policisë Kurbin, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, në ngarkim të shtetasit Ll.B., 53 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Kanosje për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal, pasi më datë 03.09.2018, rreth orës 15:00, është paraqitur pranë Komisariatit të Policisë Kurbin shtetasi J.Sh., i cili ka kallëzuar se rreth orës 07:00, ka shkuar për të pasqyruar ngjarjen e ndodhur në lokalin ku i është vendosur lëndë eksplozive, dhe është kërcënuar me armë zjarri nga pronari u lokalit, për moslejimin e filmimit të vendngjarjes.
Me marrjen e informacionit nga njoftimi i shtetasit J.Sh. tek Policia e Lezhës rreth orës 09:00, është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke kryer të gjitha veprimet hetimore konform rregullave. Nga kontrollet e ushtruara në ambientet në pronësi të shtetasit Ll.B., nuk është konstatuar asnjë armë zjarri apo send tjetër i kundraligjshëm.

Gjithashtu, në lidhje me sms-në e publikuar të dërguar nga shefi i Komisariatit të Policisë Kurbin shtetasit J.Sh., sqarojmë se nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi mesazhi që shtetasi J.Sh. pretendon se i ka dërguar shefit të Komisariatit Kurbin ku i shpjegon ngjarjen dhe i kërkon ndihmë, nga verifikimet hetimore ka rezultuar se nuk i është dërguar fare shefit të Komisariatit Kurbin, duke mos u vënë në dijeni ai se çfarë po ndodhte. Policia e Kurbinit, është e gatshme në çdo kohë të trajtojë me seriozitet dhe transparencë të plotë çdo situatë të çdo shtetasi”, thuhet në njoftim.