Prokuroria Krujë, hetim për zhdukjen e 12 mijë kallëpeve tritol. Arrestohet një person

387
Sigal

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë ka kryer veprimet e nevojshme proceduriale për të hetuar zhdukjen e një sasie shumë të madhe materiali luftarak nga magazinat ushtarake të fshatit Nuaj, në të cilën dyshohet se mungojnë mbi 12 mijë kallëpe tritoli 200 gramësh, si edhe materiale të tjera luftarake, të cilat duhet të ishin në inventar. Kjo sasi tejet e konsiderueshme lënde plasëse dyshohet që mund të jetë shitur për shpërthimet në guroret e zonës, por edhe për veprime me qëllime terroriste në qytetin e Krujës, si në rajone të tjera të vendit, por edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Për shkak të akteve të shtuara të atentateve me lëndë plasëse në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës, Prokuroria e këtij qyteti ka ndërmarrë hetime të gjithanshme për të zbuluar origjinën dhe itinerarin e tritolit që është përdorur në shpërthime kundër bizneseve, shtëpive banimi dhe ambienteve të tjera private. Në kuadër të këtyre hetimeve, si edhe në bazë të një informacioni të përcjellë nga Policia Ushtarake, Prokuroria e Krujës ka kryer veprimet e nevojshme proceduriale, në vijim të të cilave fillimisht ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Adem Hasani, me gradë tetar, me funksion përgjegjës i magazinat e armatimit në fshatin Nuaj, Krujë. Ky shtetas është i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 70/1 të Kodit Penal Ushtarak. Ai është ndaluar pasditen e sotme nga Policia Ushtarake në qytetin e Krujës.

Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se materiali ushtarak që mungon në magazinat që ishin nën përgjegjësinë e shtetasit të ndalur, krahas dyshimit se mund të jetë përdorur për qëllime keqbërëse, i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerë shumë të konsiderueshme, e cila llogaritet në rreth 200 milionë lekë të reja. Në urdhrin e ndalimit ndaj këtij shtetasi, Prokuroria e Krujës konstaton se municioni që mungon në inventarin e magazinës, si fishekë, kallëpe tritoli, lëndë plasëse, djegore etj., janë të një karakteri të ndjeshëm, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore nëse bien në duart e personave me precedent penal apo organizatave me karakter kriminal. Prokuroria vijon të hetojë për skemën e plotë të zhdukjes së materialit ushtarak gjithashtu, edhe për persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë situatë.