Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë sot pretencën për ish-drejtorin e përgjithshëm të burgjeve Artur Zoto. Prokuroria ka kërkuar 5 vite burg dhe si dënim plotësues të mos ushtrojë funksione publike 5 vjet.
Vetë Artur Zoto, i cili rrezikon dënimin me 5 vite burgim për korrupsion pasiv nuk ishte në seancë. Prokurorja Elisabeta Ymeraj rindërtoi skemën korruptive pasa gjykatës ku sipas saj është i përfshirë Zoto, bazuar në dëshminë e dhënë nga Iljaz Labi i cili thoshte se kishin bërë disa tendera në vitin 2016 dhe në marrëveshje me disa biznesmenë bënin një garë fiktive.
Seancën e radhës pritet që mbrojtja të paraqesë gjithë argumentet për të vërtetuar që është i pafajshëm. Zoto ka thënë nga ana tjetër se po mbahet në burg jo për akuzën për korrupsion por për pajisjen e përgjimit Imsi Catcher.
Prej muajsh, Zoto po përballet me gjykatën për Krime të Rënda, pas dyshimeve për korrupsion pasiv. Ai u implikua në aferën korruptive, pasi dëshmisë që bëri në prokurori, ish-zëvendësi i tij, Iljas Labi, i cili mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Labi deklaroi se i dërgoi Artur Zotos në zyrë shumën prej 20 mijë eurosh, si ryshfet për tenderin e ushqimeve.
Këtë dëshmi, ish-kreu i Burgjeve e hedh poshtë me argumentin se me Labin nuk takohej prej një kohe të gjatë, për shkak të marrëdhënieve konfliktuale që kishin.
Për këtë, ai kërkoi të ekspertoheshin pamjet filmike të kamerave të sigurisë së institucionit, prej nga vërtetohet se Iljas Labi nuk hynte kurrë në zyrën e tij.
Akt-ekspertimi u përpilua nga dy ekspertë të Policisë Shkencore, të cilët i thanë gjykatës se kanë vëzhguar 140 orë pamje filmike, në të cilat nuk shquhet qartë dera e zyrës së ish-nëndrejtorit Iliaz Labi.
Megjithatë ekspertët kanë shkëputur me foto të gjithë personat që kanë hyrë dhe dalë nga zyra e ish-drejtorit Zoto.
Gjykata nuk dha detaje se cilët janë personat që shfaqen në këtë foto dhe nëse e rëndojnë ose jo pozitën e të pandehurit, por vendosi ti administronte si provë.
Gjykata vendosi t’i drejtohet me shkrese zyrtare Drejtorisë së Burgjeve për të pyetur nëse në datat 23-24 maj 2016 i pandehuri dhe ish-zëvendësi i tij Labi janë paraqitur ose jo në punë dhe nëse kanë zhvilluar ndonjë aktivititet jashtë institucionit. Pasi kësaj përgjigjeje pritej edhe pretenca e prokurorisë ndaj të pandehurit Artur Zoto.