Pranohet kërkesa e Prokurorisë, financieri i ‘Habilajve’ do ekstradohet në Itali

534
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ekstradimin në Itali të Nazer Seitit, i arrestuar në Babicë pak kohë më parë, pasi policia gjeti 4 ton drogë.
Ekstradimi i tij do të bëhet për llogari të drejtësisë italiane, pasi ndaj tij Gjykata e Katanias ka caktuar masën ‘arrest me burg’ në datën 12 tetor 2017, si i përfshirë në trafikun e drogës Shqipëri-Itali. Seiti dyshohet se është financieri i grupit të Habilajve, disa prej të cilëve të arrestuar në Itali.
Më herët avokati i tij, Detar Hysi tha se është dakord me ekstradimin dhe se nuk duhet të kërkohet shtim afati.
“Jemi dakord me ekstradimin, s’ka pse kërkohet shtim afati. Klienti im ka dhënë pëlqimin të ekstradohet por po e pengojnë”, tha avokati i Seitit.
Kujtojmë se Prokuroria e Katanias ka mbyllur zyrtarisht hetimet për dosjen ‘Habilaj’, ku ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk bën pjesë tek personat që do të hetohen. Mes personave që do të hetohen janë; shqiptarë që janë pjesë e hetimeve në përfundim të shqyrtimit të kësaj dosjeje, përveç Moisi Habilajt, janë Maridian Sulaj dhe Fatmir Minaj. Moisi Habilaj ndodhet në burgun e Piazza Lanza. Italianët gjithashtu luajtën një rol themelor në biznesin sicilian të grupit ballkanik. Antonino Riela, Vincenzo Spampinato dhe Angelo Busacca janë ato që konsiderohen me rëndësi më të madhe. Ndërkohë në listë nuk janë Florian Habilaj, vëlla i Moisiut, Sabaudian Celaj, Armando Sulaj dhe Seiti Nezari.
Emri i ish-ministrit Tahiri doli në skenë pas përgjimeve që u publikuan në mediat italiane, gjatë bisedave që flisnin trafikantët e grupit ‘Habilaj’. Fill pas publikimit të lajmit në mediat italiane e më pas tek ato shqiptare, ngjarja solli lumë reagimesh në skenën politike dhe më gjerë. Prokuroria e Krimeve të Rënda, bazuar tek provat e prokurorisë së Katanias kërkoi që Kuvendi t’i jepte ‘ok’ vendimit për t’i hequr imunitetin Tahirit si dhe ta arrestonin atë. Por pas seancave dëgjimore, kjo kërkesë nuk u pranua nga PS. Kjo e fundit pranoi hetimin e deputetit, ndërsa e hoqi atë nga të gjitha strukturat e partisë.
Sigal