Prangosen adoleshentët që vidhnin makinat dhe banesat

547
Sigal

KRONIKA/ Në pranga kanë përfunduar pesë persona, të inkriminuar në vepra të ndryshme penale

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy shtetas të dyshuar për vjedhje të automjeteve, pasqyrave dhe kasetofonave. Më konkretisht u arrestuan shtetasit K.Çollaku, 17 vjeç, banues në Babrru Tiranë, i dënuar më parë disa herë për vjedhje dhe A.Lataj, 16 vjeç, banues në Babrru Tiranë. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi ditën e djeshme në Rrugën e Barrikadave, Tiranë kanë tentuar vjedhjen e automjetit të markës “Mercedes-Benz”, me ngjyrë të zezë, me targë AA502DI, në pronësi të një shtetaseje. Nga hetimet e kryera deri më tani mbi këto dy të mitur, rezultoi se janë të përfshirë edhe në një sërë vjedhjesh të tjera të (automjeteve si të pasqyrave dhe kasetofonash). Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të Vjedhjes e realizuar në bashkëpunim. Neni 134/2 dhe 22 të K.P. Gjithashtu, nga Komisariati i Policisë Nr.6 Tiranë, filloi procedimin penal, për shtetaset Albana Xhemal Dushku, 37 vjeçe banuese në Tiranë, me arsim 8 klasë, e padënuar dhe Lindita Islam Carkanji, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me arsim 8 klasë, e padënuar. Procedimi ndaj tyre filloj, sepse ditën e djeshme  rreth orës 21:00, në Rrugën e Qelqit këto shtetase në bashkëpunim me njëra- tjetrën kanë goditur në fytyrë e trup shtetasen A.Saraçi, 38 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të Dëmtime të tjera me dashje. Neni 90 – 25 i K.P.

Grabisnin banesat, arrestohen tre persona

Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Vlorës të akuzuar për vjedhjen e banesës së një shtetasi në Dukat të Orikumit. Burimet zyrtare thanë se Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum gjatë orëve të natës së ditës së djeshme është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Arenc Kastriot Fisti, 18 vjeç, Albert Esat Fisti, 19 vjeç dhe Arsen Esat Fisti, 24 vjeç, të tre banues në fshatin Dukat. Arrestimi i këtyre personave u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë orëve të natës janë kapur duke vjedhur banesën e shtetasit me iniciale D. Ç., banues në fshatin Dukat nga ku kanë marrë rreth 300.000 lekë të reja si dhe sende të ndryshme me vlerë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Vjedhja” e kryer në kushtet e bashkëpunimit parashikuar nga neni 134/ i Kodit Penal.

______________________________________________________________________

GRABITET NË AUTOSTRADË FAMILJA KOSOVARE, ARRESTOHET AUTORI

Një grabitje tjetër është shënuar në autostradën Kukës-Morinë, ku një familje që po udhëtonte në këtë aks rrugor ka rënë pre e një grabitjeje të organizuar nga një 18-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në vendin e quajtur “Përbreg”, kur 18-vjeçari Asllan Peca i ka dalë përpara automjetit, me të cilin po udhëtonte familja kosovare duke i plaçkitur gjërat me vlerë që mbante me vete. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kukësit, bëhet e ditur se familja kosovare ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka arrestuar në flagrancë të riun. Arrestimi i të riut u bë në saj të veprimeve të shpejta të uniformave blu ndërsa 18-vjeçarit i’u kap dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një çantë dore si dhe një laptop, të cilat ai ua kishte grabitur përmes dhunës anëtarëve të familjes kosovare. Sipas policisë, tashmë i riu është shoqëruar në komisariatin e Kukësit ndërkohë që, po punohet për persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje. Grabitjet përmes përdorimit të dhunës apo armës janë shtuar së tepërmi ditët e fundit në segmentin rrugor Kukës-Morinë, pjesë e “Rrugës së Kombit”, ku vetëm gjatë fundjavës së kaluar policia prangosi tre minorenë, të cilët tentuan të grabisnin përmes armës dy udhëtarë maqedonas. Ndërkohë që, rastet e tjera janë shënuar gjatë muajit prill dhe maj po në këtë segment rrugor.

___________________________________________________________

PËRMBYSET VARKA NË SPILLE, 1 I RI I ZHDUKUR NË DET

KAVAJË-Përmbyset varka në det, 1 person i zhdukur. Ngjarja është shënuar dje në mesditë në Spille të Kavajës kur 5 të rinj, 3 vajza dhe 2 djem nga Elbasani po shijonin në det një shëtitje me varkë. Për shkak të dallgëve, varka është përmbysur dhe 4 të rinj kanë dalë me not në breg të detit. Nuk dihet ende fati i të riut, Ledio Karaj, 20-vjeç. Policia dhe forcat e specializuara të zhytjes RENEA kërkojnë përgjatë bregut dhe në det për të riun e zhdukur.

___________________________________________________________

ZJARR NË DAJT, NIS NDËRHYRJA NGA AJRI

TIRANË-Një vatër zjarri që vijon prej dy ditësh në malin e Dajtit ka marrë përmasa të mëdha favorizuar dhe nga erërat. Zjarri ka djegur masivisht shkurret dhe pemë në zonë duke kërcënuar dukshëm Parkun e Dajtit. Për shkak të terrenit të thyer malor, zjarrfikëset e kanë patur të pamundur ndërhyrjen nga toka. Për këtë arsye helikopteri i specializuar për ndërhyrje nga ajri i marrë me qira nga Turqia po kryen operacione të njëpasnjëshme për të shuar flakët. Edhe forca të ushtrisë dhe banorë të zonës po ndihmojnë për të minimizuar dëmet në Parkun e Dajtit.

_____________________________________________________________________

ELBASAN, LOJËRAT E FATIT DO TË GRUMBULLOHEN NË PERIFERI

Bashkia e Elbasanit ndjek shembullin e asaj të Tiranës, për grumbullimin e aktiviteteve të lojërave të fatit në një zonë të caktuar të qytetit, kryesisht periferi. Propozimi ka ardhur nga kryebashkiku i Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili ashtu si edhe kryebashkiaku Basha propozoi ngritjen e një grupi pune për të përcaktuar zonat, ku do vendosen lojërat e fatit.

___________________________________________________________

MBYTET NË DET VAJZA 27-VJEÇARE

Durrës- Një vajzë e re nga Tirana ka humbur jetën e mbytur në plazhin e Durrësit teksa është hedhur nga një lartësi e konsiderueshme për t’u zhytur në det. Në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, 27-vjeçarja Teme Zyberi me banim në Tiranë është mbytur në det pasi është hedhur nga pedalina për t’u larë në një distance prej rreth 150 m nga bregu i detit, nga ku është mbytur. Pas disa orë kërkimesh është bërë e mundur edhe gjetja e trupit të pajetë të vajzës, e cila humbi jetën në pushimet e ndërprera në mes.

___________________________________________________________

ISHTE E SËMURË, VETËVRITET 46- VJEÇARJA

Durrës- Prej vitesh ishte prekur nga një sëmundje e rëndë, e cila e kishte bërë që lëngimi ta mundonte dhe ta brengoste. Për këtë arsye 46-vjeçarja Mariana Keci nga Shijaku i ka dhënë fund jetës së saj, duke u dhënë fund edhe vuajtjeve. Burime zyrtare nga policia thanë, se Keci u vetëhelmua me fostoksinë pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Mësohet se e ndjera ndërroi jetë rrugës duke u transportuar për në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë pa mundur të marrë ndihmë të specializuar.

________________________________________________________________________

ARRESTOHEN VËLLEZËRIT KORÇARË, DOGJËN PYLLIN NË VOSKOPOJË

Dy vëllezër janë arrestuar në Korçë, pasi akuzohen për djegien e një sasie të konsiderueshme pylli. Ngjarja ka ndodhur në Korçë dhe dy vëllezërit e arrestuar janë; Gjergji Ilia Nani, 38 vjeç dhe Vasillaq Ilia Nani, 23 vjeç, të dy banues në Voskopojë-Korçë. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi janë autorë të dyshuar të zjarrëvënies në masivin pyjor të Voskopojës. Zjarri është vënë me qëllim përfitimin e kullotave për bagëti. Ndaj tyre ka nisur procedimi penal për “Shkatërrimin e pronës me zjarr, e kryer në bashkëpunim”.