Policia ndërhyn me forcë në kopshtin zoologjik në Fier, kafshët drejt Afrikës

528
Sigal

Policia dhe veterinerët kanë hapur me forcë portën kryesore të kopshtit zoologjik privat në Fier, për të hequr nga aty kafshët që mbahen në kushte të mjerueshme. 13 kafshët do të transportohen në kopshtin zoologjik të Tiranës. Tre luanët do të trasnferohen më pas në Holandë, dhe prej andej në Afrikë.

Lidhur me këtë situatë emergjente, një koment ka ardhur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Pyjore, Anduel Xhalia. Ai ka konfirmuar se ndërhyrja do bëhet sot, pasi ka kaluar çdo afat për dorëzimin e dokumentacionit. Xhalia po kështu ka shtuar se ende nuk ka një informacion në lidhje me gjendjen e kafshëve.

“Nuk e dimë se në çfarë gjendje janë kafshët, të ushqyera apo jo. Ndaj kërkohet ndërhyrje e menjëhershme”, tha ai.

Nga ana tjetër, avokati i kopshtit zoologjik ‘Safari park’, Elvis Sulejmani, u shpreh se nuk ka asnjë vendim gjykate për marrjen e kafshëve.

“I kemi plotësuar të gjitha kushtet dhe dokumentacionin për vazhdimin e aktivitetit. Kafshët nuk mund të merren forcërisht”.

Ai shtoi se afati për dorëzimin e dokumentacionit mbaron të hënën. “Afati për dorëzimin e dokumentacionit mbaron të hënën, në orën 16:00. Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrat, sipas procesverbalit të datës 17 tetor. Inspektorët e Mjedisit janë në dijeni të këtij fakti, dhe vijnë qëllimisht ditën e dielë, për të marrë kafshët forcërisht dhe në shkelje të ligjit”.

Reagimi i institucioneve ka ardhur pas publikimit nga “Daily Mail” të fotove të luanit me sy të nxirë e të infektuar, që bënë xhiron e botës.