Policia aksion për lirimin e plazheve publike, sekuestrohen qindra shezlongë e çadra në Durrës

23
Sigal

Vijon operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave në plazhe, që janë zënë në kundërshtim me ligjin.

Kjo fazë e operacionit u shtri në plazhet e Durrësit dhe të Sarandës, dhe rezultoi me sekuestrimin e 106 shezlongëve dhe 123 çadrave që ishin vënë pa autorizim.

Procedohen penalisht 2 administratorët që nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet.

Në plazhin “Apollonia”, në Durrës, u sekuestruan 106 shezlongë dhe 53 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 31 vjeç, banues në Durrës.

Në plazhin e Çentralit, në Sarandë, u sekuestruan 70 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. Ç., 24 vjeç , banues në Sarandë.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.