Pogradec, vret gruan barbarisht, babai i autorit: Djali vuante nga çrregullime mendore

484
Krimi në familje godet sërish. Bashkëshorti godet me sqepar nënën e fëmijës së tij, më pas kërkon që varrimi të bëhet në fshatin e saj të lindjes në Lushnjë
Krimi në familje godet sërish. Këtë radhë një ngjarje, e cila i ka kapërcyer kufijtë e krimit horor, ka ndodhur në një fshat të Pogradecit. Gjithçka sipas uniformave blu, mësohet se ka ndodhur mëngjesin e së dielës. Fshati Blacë është tronditur kur ka mësuar se 49-vjeçari Bashkim Mekolli, kishte masakruar me sqepar dhe thikë bashkëshorten e tij po në të njëjtën moshë, Demirke Mekolli. Krimi ka ndodhur në banesën e çiftit, ku si pasojë e goditjeve të marra, gruaja ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Bëhet e ditur pas krimit Bashkim Mekolli është larguar nga banesa duke e lënë të shoqen të gjakosur, ndërkohë që kanë qenë fqinjët ata që kanë lajmëruar policinë. Mësohet se çifti jetonte vetëm, pasi djali 16-vjeçar i tyre jetonte prej disa kohësh në Itali. Fqinjët njoftuan policinë e cila bëri të mundur arrestimin e autorit dhe më pas mori dëshmitë e të afërmve për të sqaruar rrethanat e krimit. Por ndërsa u arrestua, autori me pranga në duar ka kërkuar nga familjarët e tij që bashkëshorten ta dërgojnë për ta varrosur pranë shtëpisë së babait të saj në Lushnjë. Të dhënat e para të policisë bëjnë me dije se një nga shkaqet që ka çuar autorin të godasë për vdekje bashkëshorten e tij, ka qenë gjendja jo e mirë ekonomike në të cilën jetonin, grindjet e vazhdueshme. Ndonëse ende nuk është vërtetuar nga Mjekësia Ligjore përmes një akti ekspertize, familjarët janë shprehur për median se djali i tyre, vuante prej disa kohësh nga çrregullime mendore. Këto janë deklarimet e babait të djalit, i cili mësohet t’u ketë dëshmuar edhe punonjësve të policisë për jetën e çekuilibruar të djalit të tij. Babai i autorit, Nexhdet Mekollin u shpreh për mediat se djali i tij kurohej prej kohësh nga depresioni. Ai ka thënë se djali ka qenë prej kohësh i kuruar me depresion por nuk e pranonin në Tiranë. “Krimin e ka kryer kur ka qenë jashtë kontrollit. Kishin kushte të vështira. I kam marrë në banesë sepse jetonin në kasolle. Sapo kam dalë nga shtëpia më ka lajmëruar nusja e nipit për vrasjen. Kur kam shkuar e kam gjetur nusen të pajetë, të masakruar, të mbuluar me gjak, ndërsa djali me thikë në dorë vinte vërdallë”, u shpreh i moshuari. Më tej Nexhdeti ka shtuar se nusja ishte e urtë dhe punëtore, ndërsa i biri me thikë në dorë i kërkonte që e shoqja të varrosej në Lushnjë tek pirndërit e saj. Ky krim vjen pak ditë pas vrasjes së gjyqtares Fildes Hafizi nga bashkëshorti i saj në kryeqytet. Në të dyja rastet kemi të afërm të autorëve që flasin për probleme nervore të tyre. Bashkëshorti i Fildes Hafizit, babai i dy fëmijëve të mbetur tashmë jetim, i kërkoi Gjykatës së Krimeve të Rënda t’i nënshtrohej një akti ekspertimi, me pretendimin se vuante nga depresioni. Ky depresion sipas tij ishte shkaktuar nga problemet që kishin lindur në familje pas divorcit me të shoqen. Të njëjtën skemë kemi edhe në Pogradec.
Sigal