Përfundon auditi për rrugën Tiranë-Elbasan, Gjiknuri kallëzon te Krimet e Rënda 3 ish-zyrtarë

490
Dy ish-zyrtarë të Rrugëve dhe një drejtues aktual janë kallëzuar penalisht te Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ministri Damian Gjiknuri, pasi akuzohen për shpërdorim me detyrën. Me përfundimin e procesit të auditit të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi “rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan”, nga Ministria Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë rezultuar një sërë shkeljesh.
Burimet e mbrëndshme bëjnë me dije se dëmi ekonomik llogaritet në vlerën 53,983,340 USD. Sakaq, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 USD nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës pa burime financimi.
Në vijim të konkluzioneve të këtij auditi, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka dërguar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal në ngarkim të shtetasve:
1. Dashamir Xhika, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
2. Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
3. Albens Alite, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
Përmes kallëzimit, kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar dhe persona të tjerë, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
“Konstatohet se personat e lartëpërmendur, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave per ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan. Ky fakt ka shkaktuar pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit dhe të publikut, si dhe ka krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale nga subjekte juridike private.
Personat e kallëzuar, të cilët kanë ushtruar apo ushtrojnë funksione publike, me veprimtarinë e tyre, krijojnë bindjen e arsyeshme se me veprimet e mosveprimet, kanë patur edhe qëllime korruptive dhe duhet të jenë rezultat i pranimit të ofertave apo i premtimeve për përfitime të parregullta nga vetë personat e kallëzuar”, thuhet në njoftim.


Sigal