Pasojat e “Drejtësia e Re” : Për 1 orë 3 gra të ekzekutuara

87
Sigal

“Serial killer” në ‘gjueti’ të grave! Për 1 orë 3 të vrara dhe 3 të plagosur! Dan Hutra vret motrën dhe kunatën e ish gruas në Paskuqan si dhe ekzekuton 31-vjeçaren në Kamzë për hakmarrje! Arrestohet pas 7 orësh kriminelit i liruar nga gjyqtarët e rinj të “Vettingut”, i cili kishte plagosur dhe vrarë vite më parë edhe ish-gruan. Në Greqi një ministër dha dorëheqje pas tragjedisë, po në Shqipëri ekziston një moral i tillë për ministrin e Drejtësisë? Reagojnë Presidenti Begaj dhe kreu i policisë së Kryeqytetit Vocaj

‘Serial killer’ në ‘gjueti’ të grave! Për 1 orë 3 të vrara! Dan Hutra vret motrën dhe kunatën e ish gruas në Paskuqan! Ekzekuton dhe 31-vjeçaren në Kamzë për hakmarrje! Arrestohet pas 7 orësh

 Në mënyrën më tragjike të mundshme Shqipëria e nisi muajin mars të vitit 2023, teksa këtë të mërkurë 40-vjeçari Dan Hutra nga Vaqarri i Tiranës përgjaku kryeqytetin, duke i marrë jetën tre grave dhe duke lënë të plagosura tre të tjera.

Skema si ndodhën vrasjet 

Në krime të ngjashme me ato të një “serial killer-i”, Dan Hutra plagosi fillimisht me thikë pasi refuzoi t’i jepte para, ish të dashurën e tij Marjana Gurakuqi në zonën e “Astirit” dhe më pas iu drejtua Paskuqanit ku me kallashnikov ekzekutoi 30-vjeçaren Mevlute Hysa (ish-kunata e tij) dhe Hasime Dafkun (e fejuara e vëllait të ish-gruas së tij).

Objektivi i tij kryesor ishte ish-bashkëshortja 35-vjeçare Elena Hysa, e cila mbeti e plagosur, së bashku me nënën 60-vjeçare Kujtime Hysa pas plumbave të kallashnikovit dhe goditjeve me thikë të Hutrës.

40-vjeçari nuk u ndal me kaq, por pak pas minutash i mori jetën me tre plumba edhe Etleva Kurtit në banesën e saj në rrugën “Besëlidhja” të Kamzës, krim që e kishte paralajmëruar edhe në burgun e Drenovës, ku kishte kërcënuar vëllain e së ndjerës, Vladimir Kurti (i dënuar me burg përjetë) se do të vriste atë, e më pas të motrën dhe nënën kur të fitonte lirinë.

Pasiguri

Përgjakja në këtë mënyrë e kryeqytetit ka tronditur opinionin publik dhe ka nxjerrë edhe njëherë në pah faktin sesa e pasigurtë është jeta e qytetarëve në Shqipëri.Në një kohë kur Policia e Shtetit duket e pafuqishme për të dërguar pas hekurave personazhet me precedentë të theksuar kriminal që janë të prirur të marrin jetë njerëzish dhe strukturat e uniformave blu akuzohen për lidhje të forta me krimin

Kush është Dan Hutra?

Dan Hutra është një njeri i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka një skedë të pasur kriminale ku përfshihen vepra të ndryshme penale për përdhunim, pengmarrje, vrasje, 2 tentativa të bujshme arratisjeje, sherret në burg, vjedhje, në total 20 vite histori kriminale! Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash. Gjithashtu, më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023. Mbetet mister si u lirua ky monstër.

Drejtësia e dështuar

6 shkurti i këtij viti, ishte data kur drejtësia shqiptare vrau 3 gra dhe për pak i mori jetën 3 të tjerave që mbetën të plagosura. E jo, nuk është fjala në mënyrë metaforike, por literalisht. Gjykata e Tiranës, më konkretisht gjyqtari Gerd Hoxha dha “ok” për lirimin nga burgu i Peqinit të një monstre që në gjithë jetën e tij ka dhunuar dhe ka vrarë gra. Edhe pse Prokuroria ishte kundër vendimit për personin që po hetohej për dhunë në familje. Si përfundim, ku e dërguan? Në familje që të vazhdonte dhunën.Vrasësit i dhanë në dorë një kallash, e i dhanë urdhër për qitje.

Dëshmitë

Nëna e 31-vjeçares Etleva Kurtit, e cila u qëllua për vdekje në oborrin e banesës së saj ka rrëfyer për oficerët e policisë se në momentin kur ndodhi krimi ka qenë nga pas banesës duke punuar. Ajo është shprehur se ka dëgjuar krisma të forta dhe kur ka dalë ka parë gocën përtokë.

“Isha duke punuar nga pas shtëpisë kur dëgjova disa krisma. Kur dola para shtëpisë pashë gocën përtokë të vrarë”, ka rrëfyer nëna e viktimës, e cila sipas mediave ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.

Arrestohet ‘serial killer-i’ Dan Hutra, autori i 3 vrasjeve në Tiranë

Pas 7 orësh në arrati, u arrestua Dan Hutra autori i vrasjes së 3 grave dhe i plagosjes së 3 të tjerave dje në Tiranë. Ai u kap në zonën e landfillit.