Pasaporta drejt BE për 1800- 5000 euro, agjentët e infiltruar kapën falsifikatorët

829
Prokuroria e Elbasanit zbardh dinamikën e hetimeve që çuan në prangosjen e grupit të falsifikatorëve të mjeteve të identifikimit, përkatësisht shtetasit Anastas Çyço 51 vjeç, Alban Nuredini 38 vjeç dhe Lulzim Gjoçi, i dënuar më parë.
Organi i akuzës sqaron se sinjalizimin e parë e kishte marrë nga policia në qershor të këtij viti për një rast të ndihmes së kalimit të paligjshëm të kufirit dhe më pas në nëntor një rast tjetër për veprën penale të “Falsifikimit të letërtërnjoftimeve, pasaportave, ose i vizave, si dhe “falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve” fillimisht pa autor.
Të dyja këto proçedime u bashkuan në një proçedim të vetëm me datë 04.12.2015, pasi sipas organit të akuzës personi i dyshuar kryesor në të dyja rastet ishte Anastas Çyço si dhe dyshohet se bashkëpunëtorët e tij kanë lidhje dhe ushtrojnë të njëjtin aktivitet kriminal në marrëveshje me njëri-tjetrin.

Anastas Çyço me grupin falsifikonin pasaporta drejt Francës dhe Anglisë
Në bazë të informacioneve të marra ka rezultuar se në qytetin e Elbasanit, shtetasi Anastas Çyço, i datëlindjes 1964 merret me veprimtarinë kriminale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Fallsifikim i pasaportave dhe vizave” dhe “Fallsifikim i vulave, stampave dhe formulareve”.
Sipas informacionit të policisë gjyqësore shtetasi Anastas Çyço, që “njihet me emrin “Tasi”, në bashkëpunim dhe me persona te tjerë, mundësonte kalimin e shtetasve shqiptare ne drejtim te Francës, Anglisë, etj..
“Target-grupi i tyre janë personat të cilet janë të interesuar për tu larguar jashtë Shqipërisë në drejtim të shtetit të Anglisë apo vendeve Nordike për shkak të ekspulseve apo të probleme ligjore në vendet përkatëse”.

Çyço gjente klientët, takim personal me ta
Mënyra e veprimit të personave të përfshirë në këtë aktivitet criminal, sipas Prokurorisë, ka qënë e tillë: “I dyshuari Anastas Çyço grumbullonte klient / porositës me orgjinë kryesisht nga qyteti i Elbasanit, dhe fshatrat të tjerë përreth, pasi prezantohej me ta nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore dhe miqësore.
Takimet me të interesuarit bëheshin në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasnit, ku banon Anastasi, ku ky i fundit komunikonte vetëm duke e takuar personalisht klientin, pasi ai nuk kishte në perdorim numër telefoni celular si dhe nuk përdorte automjete për të lëvizur.

Çmimet 1800-5000 euro, në varësi të pasaportës
Pasi bëjnë bisedat, bien dhe dakort për çmimin, i cili varion nga 1800 deri në 2000 euro për person dhe çmimin përfundimtar i dyshuari Anastas e varion në shumën 4000-5000 euro për çdo klient në varësi të faktit nëse porositet pasaportë bullgare, kartë identiteti, patentë apo të gjitha sëbashku”.

Bashkëpunëtorët e Çyços falsifikonin dhe dokumenta shkollorë
Nga informacionet e para hetimore të Prokurorisë gjithashtu është dyshuar se personat bashkëpunëtor në këtë aktivitet, me të dyshuar kryesor Anastas Çyço siguronin edhe dokumenta të tjera të falsifikuara sipas kërkesës së porositësve të llojit: vërtetime notash shkolle 9-vjeçare, diploma shkolle të mesme, çertifikata personale dhe familjare, vula doganore, çertifikata për kurse trajtimi të ndryshme etj.

Infiltruesit zunë mat falsifikatorët, porositën pasaporta, karta identiteti, patenta
Për të shkuar deri tek Anastas Çyço, Prokuroria thotë se ka kryer veprime stimuluese me agjentë infiltrues nga qershori deri me 7 dhjetor 2015, kur është bërë dhe arrestimi në flagrancë.
“Jane kryer në vijimesi një tërësi veprimesh intensive hetimore, sipas autorizimeve të prokurorit për veprime simuluese (me agjentë të infiltruar) që prej qershorit 2015 e deri më datë 07.12.2015 dhe të vëzhgimit në ambjente publike të të dyshuarit Anastas Çyço, dhe personave të tjerë bashkëpunëtor të përfshirë në role të ndyshme në këtë aktivitet criminal.
Konkretisht më datë 07.12.2015 rreth orës 11:05, nga agjentët e infiltruar të policisë gjyqësore janë kapur në flagrancë, pikërisht në lokalin e shtetasit Lulzim Gjoci, ndodhur në lagjen “Kala”, shtetasit Anastas Cyco, Alban Nuredini dhe Lulzim Gjoci (i dënuar më parë) me prova materiale me vete”.
Prokuroria thotë se gjate ndërhyrjes së policisë gjyqësore shtetasi Lulzim Gjoci ka tentuar tu largohet forcave të policisë me vrap duke hedhur në tokë dokumentat të ndryshem.
“Këto dokumenta që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale si dy pasaporta, dy patenta dhe dy karta identiteti të gjitha bullgare, të dyshuara prodhim tërësisht i falsifikuar kanë qënë porositur nga agjentet e infiltruar javë më parë kundrejt shpërblimit prej 4000 euro, ku 800 euro prej të cilave janë dhënë si kapar (garanci) paraprakisht të dyshuarit Anastas Çyço”.
Në këto kushte flagrancë nga policia gjyqësore jane ushtruar kontrolle të banesave të shtetasve të Anastas Çyço, Alban Nuredini dhe Lulzim Gjoci në qytetin e Elbasanit.
Konkretisht në banesën e shtetasit Anastas Çyço, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sërë pasaportash shqiptare dhe te huaja, dokumenta të ndryshme si çertikata për kurse trajnimi të USAID, vërtetime të Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, vërtetime notash shkolle 9-vjecare, diploma shkolle të mesme, pasaporta shqipëtare pa emra apo në emra të personave të tjerëm, çertifikata personale dhe familjare modele të vjetra dhe të reja, vula doganore etj
Sigal