Pas bankave, rrezik të grabitet edhe Ministria e Brendshme

459
Vjollca KUTA
Shqipëria është kthyer në një “xhungël” pasigurie ku mund të grabiten lirshëm pasuritë, bizneset, banesat, shërbimet publike, nxënësit e shkollave e vet shkollat, femrat për trafikim e përdhunim, biznesmenët për “gjoba”, të moshuarit që goditen e lihen në rrugë nga makinat, për bankat që vidhen në sportele, bankomate dhe gjatë transportit të depozitave, për kambistët dhe taksistët që rrëmbehen, plagosen e vriten, për supermarketet që duhet të dorëzojnë të ardhurat tek maskat, për fermat dhe tufat e bagëtive që grabiten nga “ujqërit” me maska e armë, për vilat, karburantet, makinat, udhëtarët, turistët e huaj, argjendaritë, zyrat e bashkive e deri tek grabitja e selive fetare… 
Kur në parlament flitej për arritjet e policisë, në vendosjen e rendit dhe sigurisë…
Ditën e enjte, ndërsa në parlament flitej për rendin dhe sigurinë dhe kryeministri e cilësonte Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, si “model suksesi historik për rendin e sigurinë në 100 vitet e fundit”, në mes të ditës, në mes të zonës më të populluar me qendra banimi, me qarkullim, biznese e patrulla policie rrugore, nga një grup i maskuar dhe me armë, nga dy “auto-banka” u grabitën thasë të mbushur me euro, të cilat “eksportoheshin” jashtë Shqipërisë! U grabitën me qetësinë dhe liri të plotë, aq sa ndërsa grabitja spektakolare zgjati vetëm 2 minuta duke shtrirë përtokë policët privatë, policia e shtetit shkoi pas 10 minutash pranë makinave të boshatisura. Ishte grabitje e kryer në të njëjtin vend kohë më parë, kryer me të njëjtin model si grabitja tek dera e avionit në Rinas, si grabitja tek dera e bankës tek Stacioni i Trenit në Tiranë e si shumë grabitje të tjera. Edhe këtë herë, në vend të grabitësve, policia “kapi” policët privatë, të cilët i arrestoi dhe që siç është vepruar edhe në rastet e tjera, do fillojë t’i lëshoj një e nga një! Bankat janë grabitur shpesh në Shqipëri, duke shqyer bankomatët në hyrje të tyre apo në mjedise të tjera publike, duke vjedhur me karta false dhe hakerime llogarish, duke u vjedhur nga vetë drejtuesit dhe punonjësit e tyre, duke u grabitur me armë e maska në sportele dhe lloj-lloj skemash të tjera. këto vjedhje bankash nuk po ndalen. Vjedhje, të cilat nuk ndalen, që nga bankat tek supermarketet. 
Xhungla e pasigurisë/ 24 orë pas grabitjes në Kashar, grabitet supermarketi në Tiranë
Vetëm 24 orë pas grabitjes së miliardave të të një banke në Kashar, dje në mes të Tiranës është sulmuar dhe grabitur me qetësi e lehtësi një supermarket, konkretisht në rrugën e zonës tregtare “5 Maji”. Grabitësit nuk kanë qenë me makina të blinduara, por me biçikleta! Në Sarandë, 48 orë më parë është grabitur argjendari, të cilën me qetësi dhe lehtësi e kanë boshatisur krejt e janë larguar pa u shqetësuar nga policia. janë grabitur karburante, dyqane valute, kambistë, taksistë, tregtarë, biznesmenë, dyqane, shkolla, seli fetare, zyra shteti, madje edhe zyrat e partisë në pushtet, banesa, vila, automjete e gjithçka që u intereson grabitësve për t’i shitur, ose përdorur. Çudia është se në gjithë subjektet që janë grabitur, ka pasur shërbim me polici private. Në të katërt rastet e grabitjes së lekëve të bankave që niseshin drejt Rinasit, thasët janë shoqëruar nga grupe policës privatë. Se sa paguhen këta, këta e pranoi vetë ministri, por ai nuk deklaroi se mbi ç’kushte i certifikon policia e shtetit? Mbi ç’kritere fizike, mendore, moshore, profesionale e shëndetësore, i rekrutojnë dhe i punësojnë këta policisë, administratorët e policive private? Kush i kontrollon për zbatimin e ligjshmërisë në detyrë? Kush i teston në mënyrë periodike policët, drejtuesit teknikë, drejtuesit e sektorëve e madje edhe administratorët e këtyre shoqërive të sigurisë fizike private? Sepse kudo ku ka pasur grabitje, ka pasur shërbim me polici private! Dhe në asnjë rast policët privat jo vetëm nuk ia kanë bërë “bam” me armën që mbajnë, por janë tërhequr edhe zvarrë si leckë nga grabitësit. kështu ndodhi edhe në rastin e pardjeshëm të grabitjes së miliardave t të bankës në Kashar, kështu ka ndodhur edhe në grabitjet e tjera, fakt që është transmetuar pamjet filmike të kamerave të bankave e bizneseve. Po a kanë përgjegjësi vetëm policët? Pyetja shtrohet kështu: Çfarë infrastrukture dhe pasjesh kanë grupet e policive private që transportojnë vlera financiare bankare, pensione pleqërie, paga, depozita, sende bankare me vlerë, milionat e bizneseve, xhirot ditore etj? Një primitivet skandaloz. Që të bindesh se sa i serioz, i aftë dhe i fortë është shërbimi i policisë private, mjafton të shikosh policët e objekteve, të cilët janë me uniforma “zhul”, me këpucë të shtrembra, individë që prej sëmundjeve, invaliditetit, dobësive fizike, lodhjes në punë të tjera ditë e natë për “5 lekë” jashtë policisë private e për më tepër, prej moshës së vjetër që kanë shumica mbi 60 vjeç, të cilët një grabitës profesionist e fuqishëm e hedh tutje me “frymë”! Pyetja tjetër është kjo: A janë të certifikuara si autoblindë me standarde specifike, automjetet që policitë private përdorin për transporte vlerash bankare? Sipas informacioneve, rezulton se nuk janë autoblinda të certifikuara e me standarde specifike për transporte të sigurt e vetëmbrojtjes, por janë furgonë e autovetura me logo të policive private, të blera tek pazari makinave e jo në kompanitë që prodhojnë autoblinda bankash për vlera monetare dhe sende me vlerë. Autoblindat bankare, prodhohen vetëm nga një kompani automjetesh në Itali dhe askund tjetër dhe atje duhet vënë si kusht që të blihen. Ndryshe, do të ndodhë si para disa vitesh me autoburgjet, të cilët u prezantuan e u trumbetuan si mjete super të blinduara, por në fakt rezultuan automjete furgonë të zakonshëm nga ata që transportojnë pasagjerë në zonat rurale, por që për të fshehur abuzimin u veshën me llamarinë nga brenda, modifikim i cili krijonte deviacione gjatë udhëtimit! Po armët që përdorin policitë private, a janë të certifikuara dhe a janë në përputhje me kërkesat ligjore, teknike e funksionale për të kryer këtë shërbim efiçent? Subjektet që nuk kanë më siguri për pasuritë dhe objektet e tyre, kërkojnë ndërhyrjen urgjente për të “kolauduar” shërbimin e policive private, duke mos e lënë të jetë thjeshtë një biznes, që lë të grabiten bizneset dhe pasuritë e të tjerëve, shpesh edhe duke marrë jetë punonjësish që përballen me grabitësit…..
Sigal