Pa ujë të pijshëm prej 2 muajsh, ankohen banorët e Maliqit: Edhe ato 10 minuta, vjen i ndotur me krimba

42
Sigal

800 banorë të fshatit Shën Gjergj në bashkinë e Maliqit vuajnë mungesën e ujit të pijshëm prej thuajse 2 muajsh. Banorët bëjnë të ditur se gjatë 24 orëve kanë vetëm një orë ujë në mëngjes dhe ai është i pa pijshëm, pasi është i ndotur. Në kushte të tilla janë të detyruar ta kullojnë ujin për t’u larë ndërkohë që për t’a konsumuar shkojnë në zona të tjera të fshatit tek bashkëfshatarët të cilët kanë qenë të detyruar të hapin puse për ujin e pijshëm.

“E para nuk është i pijshëm, çdo pajisje që kemi në shtëpi kanë dalë jashtë përdorimit se bllokohen tubat nga dherat e krimbat, nuk bën as për t’u larë. Ato 10 min që vjen, nuk e përdorim dot. Kemi dy muaj pa ujë”, – tha Irma Shkëmbi, banore. “Po bëjmë një muaj e gjysmë me një orë ujë. Edhe ky ujë që është, është me krimba, nuk pihet. Ne për të larë mos lahemi? Një ditë të Lahem dy ditë mos lahem? Ku ta gjej ujin tja hedh banjës. Ku të shkoj, nga t’ja mbaj?- u shpreh Nevruz Shkëmbi.

“Uji nuk është i pijshëm, edhe napka që vëmë tregon krimba, zhaba, çdo gjë ka. Është i pisët. Të vijnë të na i pastrojnë.”, -Pandora Dulo.

“Këtë e mbushim me ujë dhe e marrim me pompë që e ngjitim lart por uji që vjen është më torfë, me krimba, i pisët, nuk pihet fare. E kemi problem sidomos këtë kohë, tani është shumë problem. Si ja bëjmë, mbushim plot e përpjetë, njëherë në puset.”, – theksoi Armand Dulo. I kontaktuar nënkryetari i Bashkisë Maliq Eridjon Rustemi ka bërë me dije se nga thatësira e ditëve të fundit njeri nga puset që furnizon me ujë të pijshëm fshatin ka humbur nivelin e ujit në depozitë dhe kjo ka sjellë reduktimin e orareve të furnizimit me ujë të pijshëm, çka ka sjellë ndotje fizike të ujit.