Operacioni i kokainës në “Don Bosko”, Ministria e Brendshme: Verifikim policëve që qëlluan me armë

355
Pas operacionit të natës së kaluar në kryeqytet kundër një grupi të dyshuar si shpërndarës kokaine dhe që rrezikuan jetën e një polici duke kundërshtuar ndalimin, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka nisur verifikimet.
Raportohet se do të kontrollohen dhe verifikohen veprimet e policisë, pasi ka pasur dhe të shtëna në ajër, nga të cilat ka mbetur i plagosur lehtë i dyshuari kryesor i grupit.

Sipas policisë të shtënat kanë qenë në ajër dhe ndaj gomave por jo ndaj tij.

“Shtetasi Blendi Peca është konstatuar nga shërbimet e policisë duke lëvizur me mjetin tip ‘Citroen’, në zonën e ‘Don Boskos’. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij për të bërë ndalimin e mjetit. I është bërë shenja e ndalimit nga punonjësit e policisë të veshur me jelekun multifunksional me mbishkrimin ‘Policia’, por mjeti nuk ka ndaluar, ka kryer manovra lëvizjeje të rrezikshme për jetën e punonjësve të policisë.

Në këto kushte punonjësit e policisë kanë nxjerrë armën e brezit dhe kanë qëlluar në ajër duke dhënë përsëri urdhër ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur, ka vijuar tentativën për t’u larguar. Punonjësit e policisë kanë shënjestruar dhe qëlluar gomat e mjetit dhe kur janë afruar kanë vënë re se është plagosur lehtë, drejtuesi i mjetit, shtetasi Blendi Peca, 27 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”, deklaroi zyrtarisht policia.

Ndërsa SHÇBA do të verifikojë nëse veprimet e Policisë kanë qenë të rregullta dhe konform ligjit.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjet, është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e cila rezultoi e peshës 385 gramë.

Duke qenë në kushtet e flagrancës është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Arbër Murati, ku në dhomën e gjumit është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e peshës 50.2 gramë, 10 doza pluhuri të dyshuara të llojit kokainë, ngjyrë e bardhë, një dorezë metalike, një sasi vlere monetare në valutë prej 1210 euro dhe 18 000 lekë të reja, të cilat u sekuestruan. Për pasojë u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit e mësipërm.
Sigal