Pas incidentit të fundit ku një efektiv policie dhunoi barbarisht një kamerier në Vlorë, tani vijnë pamje të reja shokuese që tregojnë një polic duke konsumuar kokainë. Pamjet u publikuan nga portali JOQ dhe pas tyre pati reagim zyrtar nga Policia e Shtetit, e cila pranoi se rasti është real.
Në një njoftim zyrtar thuhet: ‘Më datë 28.07.2025, në rrjetet sociale u publikua një video ku shfaqet një punonjës policie duke konsumuar lëndë narkotike. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka reaguar duke përjashtuar menjëherë nga radhët e Policisë së Shtetit shtetasin e shfaqur në video.’
Megjithatë, problemi i konsumit të drogës nga efektivët e policisë mbetet shqetësues dhe i thellë. Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, kishte kërkuar më parë vendosjen e testeve të drogës për punonjësit e policisë, por për shkak të përhapjes së gjerë të kokainës në vend dhe pastrimit të shpejtë të drogës nga trupi, shumë policë arrinin të shmangnin testet.
Analizat më të avancuara u refuzuan, ndërsa vetë Gledis Nano u shkarkua nga detyra. Kjo bëri që testi i drogës në polici të mbetet vetëm një iluzion. Sipas shumë vëzhgimeve, ndërprerja e këtyre testeve duket se është bërë me qëllim, pasi gjatë viteve të qeverisjes së Edi Ramës është vënë re rritje e ndjeshme e përfshirjes së efektivëve të policisë në trafikun dhe shpërndarjen e drogës.
Gjatë operacioneve të shumta janë arrestuar pjesëtarë të forcave speciale, patrullës dhe policisë kriminale, të cilët janë kthyer në shpërndarës, trafikues dhe në disa raste edhe në përdorues të drogave të forta.






















