Nënoficeri mohon vrasjen e kryer te ish-Blloku: Ngjarjen e mësova nga lajmet

416
Sigal

TIRANË – Nënoficeri i arrestuar tre ditë më parë nga Policia e Tiranës, nuk e ka pranuar akuzën, si autor i vrasjes aksidentale të Majlinda Hoxhës e punësuar si ekonomiste në lokalin e basteve të Elton Fushës, i cili ishte objektiv i ngjarjes. Ai ka pohuar se, nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje, duke theksuar se, ka alibi. Ndriçim Balla ka mohuar kategorikisht të jetë ai autor i vrasjes, madje, ka pretenduar se ka edhe një alibi që mund të provojë pafajësinë e tij. Sipas deklarimeve të 33-vjeçarit, në momentin kur ka ndodhur ngjarja te ish- Blloku, mbrëmjen e datës 9 shtator, ai ndodhej në shtëpi dhe e ka mësuar vetëm nga lajmet atë çfarë kishte ndodhur. Ndriçim Balla pretendon se këtë fakt mund ta konfirmojë edhe bashkëshortja e tij, pasi të dy kanë qenë bashkë në momentin e ndodhjes së krimit. Grupi hetimor konfirmon, se Nënoficeri i Shkollës së Bashkuar gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se mes tij dhe Elton Fushës ka pasur një debat disa ditë para ngjarjes para lokalit të basteve që ishte marrë me qira nga  Elton Fusha. Sipas të arrestuarit, gjithçka ka ndodhur edhe në prezencë të vëllait të ushtarakut të dyshuar, pasi Fusha nuk i kishte dhënë paratë për punimet që kishte kryer në shtëpinë e tij. Por, -ai thotë se, -debati ka qenë vetëm me fjalë dhe është mbyllur aty. Mirëpo burime nga grupi hetimor pohojnë se nga hetimet rezultoi se i plagosuri Elton Fusha ka pasur një konflikt me shtetasin A. Balla (vëllai i nënoficerit të arrestuar), sepse ky i fundit i kërkonte t’i paguante shumën prej 25 mijë lekësh për një punë që kishte bërë si usta në objektin e tij. Shtetasi Elton Fusha, nuk pranonte ta paguante këtë shumë, e si rezultat, disa ditë para ngjarjes, te lokali i tij ka shkuar shtetasi A. Balla, i shoqëruar me një person tjetër, që është autori i dyshuar i ngjarjes, vëllai i tij Ndriçim Balla. Nga deklarimet e të plagosurit Elton Fusha dhe bashkëshortit të viktimës Majlinda Hoxha, shtetasit Fatos Hoxha, të cilët ishin të pranishëm në momentin e krimit, është shpjeguar ngjarja si dhe është bërë përshkrimi i autorit. I arrestuari Ndriçim Balla është identifikuar si i dyshuar pikërisht nga këta dëshmitarë dhe persona të tjerë të pranishëm.