Në pranga 29 vjeçari që fshihte drogën në qeset e sheqerit

Pakot e sheqerit ishin kthyer në një vend ku mund të fshihej lënda narkotike dhe më pas të shitej. Ishte kjo strategjia që kishte përdorur një i ri në Peshkopi, por që tashmë ka rënë në prangat e uniformave blu. Tashmë policia ka arrestuar një 29 vjeçar nga fshati Bulac i Peshkopisë, pasi akuzohet për kultivim të bimëve narkotike, të cilat më pas i paketonte në pako sheqeri për t’i shitur. 
Gjatë kontrollit të ushtruar nga specialistët Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, shtetasit Artur Xhoni ju gjet një çantë me tre qese me lëndë bimore ngjyrë jeshile në gjendje të thatë, dhe u bllokua me cilësinë e provës materiale 578.70 gr, e cila dyshohet si lëndë narkotike e llojit Kanabis. Ndërsa gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën edhe disa bimë të llojit kanabis sativa me lartësi që varionte nga 1.2 në 1 m. Materialet hetimore në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Dibrës.
NOA