Në kërkim për vjedhje dhe pengmarrje, arrestohet 27-vjeçari në Vlorë

162
Sigal

Policia e Vlorës në kuadër të operacionit të koduar ‘By Pass’ ka arrestuar 27-vjeçarin Hermes Becka. Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim për veprat penale ”Heqja e paligjshme e lirisë” dhe ”Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Sipas bluve të Vlorës, në muajin mars të vitit 2020, personi me inicialet A.D., dhe 27-vjeçari Hermes Becka  i kanë hequr lirinë personit me inicialet D.K., 34 vjeç, banues në Orikum.

Njoftimi i Policisë
Vijon operacioni policor i koduar “By Pass”, i nisur në vitin 2020. Shkon në 5 numri i personave të arrestuar. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe ”Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Zbardhen një sërë vjedhjesh të ndryshme që këta shtetas i kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë dy viteve të fundit.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “By Pass”, i realizuar në vitin 2020, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin:

H. B., 27 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale ”Heqja e paligjshme e lirisë” dhe ”Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të këtij operacioni, në dhjetor 2020 u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, për shtetasit B. L., 35 vjeç, T. M., 33 vjeç dhe M. Ll., 25 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim, për shtetasin A. D., 36 vjeç, banues në Vlorë.

Shtetasit A. D. dhe H. B., në mars të vitit 2020, i kanë hequr lirinë shtetasit D. K., 34 vjeç, banues në Orikum.

Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi D. S.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta gjashtë shtetas janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura gjatë dy viteve të fundit, konkretisht:

• Më datë 27.12.2021, dyshohet se kanë vjedhur disa shpendë në pronësi të shtetasit P. G.;

• Më datë 13.01.2020, dyshohet se kanë vjedhur bagëti të imëta në banesën e shtetasit Sh. H.;

• Më datë 08.02.2020, dyshohet se kanë vjedhur pajisje të ndryshme elektroshtëpiake në lokalin e shtetases A. Sh.;

• Më datë 26.02.2020, dyshohet se kanë vjedhur sende dhe pajisje të ndryshme, në lokalin e shtetasit I. Sh.;

• Më datë 31.08.2020, dyshohet se kanë vjedhur një sasi nafte tek një kamion, në një kantier në Radhimë.

• Më datë 18.12.2020, dyshohet se kanë vjedhur një sasi teli metalik, në pronësi të shtetasit V. G.

Vijon puna për kapjen e shtetasit D. S.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.