Ndërroi jetë pak minuta më parë, ja cili është Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoja

595
Sigal

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja.

Ndoja, prokuror në Durrës, mbeti i plagosur gjatë një atentati pranë “Mbikalimit të Shkozetit” në Durrës, pasditen e 1 nëntorit.

Në mjet, së bashku me Ndojën, udhëtonin edhe Aleksandër Laho dhe Andi Maloku, të cilët kanë mbetur të plagosur.

Maloku u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.

Atentati në fjalë ka qenë i mirorganizuar, pasi është kryer larg bizneseve, e për pasojë nuk është mbuluar nga kamerat e sigurisë. Ndërkohë, mendohet se kanë qenë manovrimet e Malokut që shpëtuan prokurorin dhe personin tjetër në makinë nga vdekja e sigurtë.

Pak ditë më parë, kryeministri Rama nga foltorja e Parlamentit e cilësoi prokurorin Ndoja si shërbyes të bandave. Pak kohë më parë, Arjan Ndoja kishte dhënë vendim për drejtuesin e kadastrës së Durrësit, Liridon Pula, i cili u lirua nga Gjykata e Apelit.

Të njëjtën akuzë bëri edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe, që ndoqi nga afër seancën e masës së sigurisë në gjykatë. I plagosuri Aleksandër Laho është emër i njohur për autoritetet, pasi ka qenë nën hetim për një konflikt pronësie në plazhin e Lalzit.

I vetmi i ndaluar për momentin për këtë çështje është Redjan Rraja, i cili sipas provave të policisë, ka marrë pjesë në atentat së bashku me persona të tjerë.

Më poshtë ju sjellim disa foto të të ndjerit Andi Maloku, i cili, para se të punonte shofer i prokurorit, ka qenë efektiv policie në komisariatin e Fushë-Krujës.