Motrat Kajtazi: Orialda i dua prindërit më shumë se çdo gjë, jam penduar

447
18-vjeçarja Orialda Ka jtazi, e cila së bashku me të motrën 14 vjeçe, Klevisën, tronditën opinion publik me arratinë spektakolare, sot i është kthyer jetës normale. Nga qelitë e burgut të grave në Tiranë, adoleshentja nga Spitalla e Durrësit do të vazhdojë procesin mësimor në shkollën e mesme të përgjithshme “Leonik Tomeo”. “Dua të nis shkollën, atje ku e kam lënë. Do shkoj në vit të tretë, jam maturante këtë vit. Dua që të mësoj, sepse ky është shansi që kam”, tha Orialda. Dje ishim në banesën e saj. Jeta në familjen Kajtazi ka marrë tjetër rrjedhë, pas kthimit në shtëpi (pas dy muajsh) të Orialdës. E ndërsa na qeras me kafe, 18- vjeçarja përpiqet të tregojë me të gjitha mënyrat se është thellësisht e penduar për “bëmat” e saj.

Ajo u shpreh se gjithçka nisi si një lojë adoleshentësh dhe se deri në momentin e fundit të jetës, do t’u ndihet borxhlie prindërve për shqetësimet e mëdha që u ka shkaktuar. “Dua që të harroj gjithçka që ka ndodhur. E vetmja dëshirë është të bashkohemi edhe një herë si familje, të jemi të gjithë së bashku. Sa na duan prindërit, askush nuk na do. Edhe unë sa dua prindërit, nuk dua njeri tjetër”, tha vajza e dytë e familjes Kajtazi. Ndërkohë, në prani të nënës së saj, Anilës ajo rrëfeu historinë e saj.

RRËFIMI
“Gjithçka nisi si një aventurë mbrëmjen e 15 korrikut. Të gjitha veprimet i bëra bashkë me motrën, pasi policia erdhi në derë të shtëpisë e pyeti për helmimin e prindërve dhe të motrës së madhe. Unë doja të vrisja veten, ndërsa motra e vogël tha që të arratisemi. Në mbrëmje ne i kishim marrë të gjitha dokumentet e motrës së madhe, Alketës, rrobat tona, paratë dhe u bëmë gati të iknim. Për të humbur gjurmët dhe që gjithçka të dukej si grabitje, ne derdhëm vajin e ullirit dhe i vumë zjarrin shtëpisë në dhomën e gjumit. Ikëm me taksi, ndërsa kemi fjetur në një hotel për tri net. Më pas u nisëm për në Vlorë, ku shtëpinë e morëm me kartën e motrës së madhe, Alketës, në emrin e saj, pasi ne jemi minorene. Nuk menduam gjatë, kishim inat me prindërit, me motrën e madhe, nuk e di pse”, u shpreh Orialda Kajtazi. Adoleshentja sqaroi se, ” në Vlorë kemi dalë shumë pak, sa për të blerë gjërat e nevojshme për banesën ku rrinim. Prindërve u kam thënë duke iu përgjëruar se vetëm falja e tyre më mjafton”.

Ndërkohë, 18-vjeçarja tha se ka qenë një moment budallallëku regjistrimi i videove në “Youtube” nga ajo dhe e motra. “Sapo u arrestova nga policia, doja të fshija videot, por ishte e pamundur, pasi më sekuestruan celularët. Vetëm pasi u futa në burg, u dhashë kodin e adresës prindërve dhe ata i fshinë. U kërkoj falje të gjithëve atyre që i kemi përmendur në video, unë dhe motra”, deklaroi Orialda Kajtazi. Ajo pohoi se do të përpiqet me të gjitha mënyrat që të kthejë në shtëpi motrën e vogël, Klevisën, e cila aktualisht është e strehuar në një qendër sociale.
Sigal