Moszbulimi i autorëve nga policia, inkurajim për grabitje të tjera

496
Sigal

Vritet kambisti në Durrës. Klimë terrori për biznesin në Durrës.

 Brenda  4 muajsh 4  kambistë të grabitur dhe një i vrarë

Kriza ekonomike dhe mungesa e parasë në treg po asgjëson pikërisht ata që prodhojnë paranë. Sulmet e vazhdueshme që kanë bërë bandat kriminale mbi një sërë tregtarësh në Durrës dhe kryesisht ndaj biznesit të kambizmit, janë një tregues i rrezikut kërcënues të ekonomisë së brishtë në këtë situatë krize. Në të gjitha rastet e fundit janë sulmuar kambistët dhe vjedhjet ndaj tyre me forcën e armëve kanë qenë të suksesshme, por jo në të njëjtin hap ka qenë policia, e cila ndaj 4 grabitjeve të bëra me armë akoma nuk ka arritur të kapë autorët. Kambistë të Durrësit thanë se  moszbulimi i autoreve nga policia ka qenë  inkurajim ndaj banditëve  për grabitje të tjera.

 Vritet në mesditë kambisti 46- vjeçar Fatmir Koltarja

Në zonën e plazhit të Durrësit, dje në orët e mesditës rreth  orës 13 e 30 minuta është vrarë me armë zjarri një kambist, i cili jetonte dhe e zhvillonte veprimtarinë e tij të biznesit  në afërsi të zonës së Hekurudhës, sektor i këtij plazhi. Pas shkuarjes së policisë në vendngjarje është bërë me dije se kambisti është  ekzekutuar  për vdekje nga persona që kanë pasur si qëllim ta grabisin, pasi ky i fundit kthehej me 25 milionë lekë të vjetra, nga pika e këmbimit valutor që kishte në pronësi drejt banesës së tij… Sipas policisë, viktima e këtij sulmi ka mbetur Fatmir Koltarja 46- vjeçar, banues i lagjes nr.13 Plazh. Grabitësit e armatosur që kanë ndërmarrë këtë krim e kishin ndjekur itinerarin e lëvizjeve të tija dhe i kanë bërë një pritë. Krimi ka ndodhur pak metra larg banesës së viktimës, i cili zakonisht në drekë kthehej në shtëpi pasi mbaronte punën.  Nga hetimet e deritanishme të policisë, kambisti iu ka bërë rezistencë agresorëve, prandaj ata e kanë qëlluar me armë dhe i kanë marrë të hollat, duke u larguar në drejtim të paditur. Grabitësit kanë gjetur momentin kur ai është larguar nga mjeti i tij në drejtim të shtëpisë për të hapur portën metalike dhe për të futur më pas mjetin brenda, ata i janë afruar dhe kanë kërkuar që t’i marrin çantën me 25 milionë lekë të vjetra brenda saj. Fatmiri i ka kundërshtuar dhe pas debatesh të ashpra ai është qëlluar më pas me pistoletë  në këmbë. Pasi kanë qëlluar grabitësit janë larguar me paratë e grabitura, ndërsa viktima është nisur me urgjencë drejt spitalit, por rrugës ka humbur jetën. Nga të dhënat paraprake dyshohet se pasi është qëlluar ai ka pësuar infarkt dhe nga kjo ka humbur jetën. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët e ndryshëm, për të bërë gjetjen e identitetit të dy grabitësve të armatosur, të cilët sipas dëshmitarëve kanë qenë të maskuar. 3 vite me parë, thuajse në të njëjtën kohë kur po kthehej në banesë  është vrarë në hyrje të banesës së tij në lagjen 11 të qytetit kambisti Agush Hyzoti, të cilit iu grabiten 30 mijë Euro. Që nga vrasja e tij janë realizuar disa grabitje te ndryshme kambistësh, por me përjashtim të vrasësve të tij, asnjë rast tjetër nuk është zbardhur.

 Rastet :Grabitje në mes të rrugës kambistit në nëntor

 Në ditët e muajit nëntor të vitit të kaluar, mëngjes herët është grabitur  një kambist, 56- vjeçari Agim Balla thuajse në qendër të qytetit të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08 e 10 minuta në rrugën “Aleksandër Goga” të lagjes nr.9. Në afërsi të Muzeumit të Dëshmorëve dhe rreth 300 m larg ndërtesës së Drejtorisë së Policisë. Sipas dëshmitareve në vendngjarje, kanë qenë orët kur ai po nisej për në lokalin e tij, ku ushtronte veprimtarinë e kambizmit dhe një mjet i markës BMW pa targa, në bordin e të cilit ndodheshin 3 persona ka nxituar me shpejtësi dhe ka hipur mbi trotuar drejt kambistit. Sipas tyre, mjeti  ka qenë në afërsi të vendit duke pritur çastin kur Balla të dilte nga banesa dhe pasi ai ka dalë nga hyrja e pallatit,  mjeti është nisur me shpejtësi, ka hipur mbi trotuar dhe nga ai kanë dalë 2 persona, njëri prej të cilëve e ka qëlluar kambistin me qytën e pistoletës në syrin e majtë. Kambisti ka hedhur çantën në lokalin meqë kishte derën afër, ndërkohë njeri, gjithnjë sipas klientëve ka hyrë në lokal dhe ka marrë çantën. “Të gjithë u shtrimë në dysheme”, ka deklaruar njëri nga klientët e lokalit, banor i lagjes, “nuk e mbrojtëm dot Agimin se grabitësi kishte kallashnikov”. Më pas ata i kanë marrë çantën në të cilën ndodheshin afërsisht 5 milionë lekë të reja dhe duke kërcënuar personat që ndodheshin në lokalin në trotuarin që u grabit kambisti janë larguar me shpejtësi. Një tjetër dëshmitar okular deklaroi se, ata kanë qenë tre persona nga të cilët 2 kanë dalë nga makina me armë në duar dhe kanë grabitur çantën ndërsa një tjetër i armatosur me automatik ka qëndruar në makinë dhe ka pritur aksionin e grabitjes së çantës dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Një ngjarje si në filmat Western.

 Sulmet kundër kambistëve në Durrës

Një muaj para grabitjes së Ballës, kishte ndodhur e njëjta gjë në Sukth-Katund

Shuma e parave të grabitura ka qenë rreth 22 milionë lekë të vjetra. Paratë i janë grabitur me dhunë duke e plagosur me thika dhe kaçavida. Grabitësit kanë kapur edhe bashkëshorten e tij në korridorin e mesëm të katit të parë të banesës duke e shtrënguar fort në fyt me qëllim që të mos thërrasë për ta dëgjuar fqinjët. Hysni  Baganaci ka një pikë këmbimi valutore në qendër të qytetit të Durrësit, ku ushtron veprimtarinë e kambizmit prej shumë vitesh, por tashmë pas kësaj grabitjeje  ai ndjehet i terrorizuar psiqikisht, fizikisht pasi ka marrë plagë të shumta në duar, trup dhe në qafë  dhe tashmë pas marrjes së të gjithë sasisë së parave që ai dispononte për kambizëm, ai ndjehet i rrënuar edhe ekonomikisht, pasi i është hequr forcërisht e gjithë sasia e rezervës ekonomike që kishte vënë për punë. Vjedhësit kanë mbetur të pazbuluar dhe mosndëshkimi i krimit i bën ata trima, ndërsa biznesi vihet nën terror. Hysniut  nuk i hiqet për asnjë çast nga mëndja fakti kur në dhomë i kanë hyrë 3 persona, të cilët e kanë terrorizuar në kërkim të parave që dispononte në banesë. Dhe e kanë lënë të përgjakur me pas atë dhe gruan e tij 61 vjeçare. Gjurmët e grabitësve kanë qenë të shumta në vendngjarje. Madje grabitësit i kanë hyrë në banesë pa maska dhe pa doreza. Por asnjë gjë nuk kanë nxjerrë në dritë hetimet. Këto janë rastet e rënda pa përmendur rastet e shpeshta kur janë përleshur dhe kanë arritur të shpëtojnë me plagë më të lehta.  Dhe në këtë klimë të frikshme kambistët e Durrësit pyesin njeri-tjetrin: Kush do ta ketë radhën?