Morgu dhe Mjekësia Ligjore në Korçë, “biznes me vdekjen”, shërbejnë si “sekserë” rivalë të funeraleve

669
Mos u çuditni por shefat dhe punonjësit e shërbimit të Morgut e të Mjekësisë Ligjore, kanë lidhje edhe me hoxhallarët e priftërinjtë, të cilët i kanë bërë pjesë të biznesit të tyre me përmbajtje babëzie çnjerëzore, madje paturpësia dhe ndyrësia e tyre shkon deri në atë derexhe, sa numrat e familjarëve të të vdekurve, ata ua japin agjencive funerale, taksistëve, pronarëve të restoranteve, përgatitësve të kurorave, punonjësve të varrezave dhe priftërinjve e hoxhallarëve
Babëzia e zyrtarëve dhe punonjësve të institucioneve e shërbimeve shtetërore, ka marrë e po “mban peng” deri në mënyrë çnjerëzore edhe të vdekurit dhe procesionin e përcjelljes së tyre në “botën tjetër”. Nuk e kemi fjalën për agjencitë funerale, të cilët bëjnë “festë e fërkojnë duart” të kënaqur kur ndodhin vdekje, mbasi këto fatkeqësi, ata i kanë burim biznesi e fitimi. E kemi fjalën, për dy institucione e shërbime shtetërore në qarkun e Korçës, me sjellje sharlatani, drejtuesit dhe punonjësit e të cilëve janë bërë pjesë aktive e turpshme dhe kanibale në “biznesin me vdekjet”, duke shërbyer si sekserë të agjencive funerale, madje edhe me rivalitet mes tyre. Çfarë ndodh konkretisht? Ka qenë një denoncim i një qytetareje nga Korçës, bërë në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në TV- “NEËS 24”, të drejtuar nga publicisti, shkrimtari dhe dramaturgu i mirënjohur Bashkim Hoxha, lidhur me skandalin që bëhet prej Mjekësisë Ligjore dhe Morgut në raste vdekjesh. Sipas denoncimit të bërë nga Korça, rezulton se shefat dhe punonjësit e Mjekësisë Ligjore e të Morgut në Korçë, bëjnë biznes me njerëzit e vdekur, duke bashkëpunuar me spitalet, me agjencitë funerale e madje me shërbimet policore rrugore e të rendit, për t’u njoftuar të parët për rastet e vdekjeve që ndodhin në aksidente, vrasje e pavione, me qëllim biznesi, për të futur nën kontroll e për të menaxhuar… varrosjen e viktimave. Fakti i turpshëm e barbar me tregues babëzinë edhe duke përfituar prej vdekjes së njeriut, denoncuar në “Koha për të Zgjuar” është ky: Në mjediset e Mjekësisë Ligjore dhe në Morgun e Korçës, gjenden edhe arkivole, kurora lulesh, lajmërime vdekjesh bosh dhe veshje për meshkuj e femra të çdo moshe! Sipas denoncimit nga Korça dhe sipas investigimit të bërë prej gazetës “Telegraf”, rezulton se arkivolet, kurorat me lule, lajmërimet e vdekjeve dhe veshjet e mortit, nuk janë “pajisje pune” të shërbimit të Mjekësisë Ligjore dhe të Morgut të Korçës, por janë “pajisje” biznesi privat, që punonjësit e këtyre shërbimeve shtetërore bëjnë me të… vdekurit. Çfarë ndodh? Ata që drejtojnë dhe kryejnë shërbimet e ekzaminim-autopsive në shërbimin e Mjekësisë Ligjore dhe të Morgut, janë të lidhur në biznes ilegal e amoral me agjencitë funerale, të cilat e kanë më të madhe përqindjen e “pagesës së sekserit”. Sipas investigimit të bërë nga gazeta “Telegraf” dhe denoncimeve të ardhura nga rrethet, rezulton se punonjësit e e Mjekësisë Ligjore dhe të Morgut në Korçë e jo vetëm në Korçë, për çdo rast vdekjeje, njoftohen nga spitalet, nga policia kriminale dhe policia rrugore. Pasi marrin njoftimin me emër, moshë, seks dhe adresë të vdekuri, ata njoftojnë agjencitë funerale dhe taksitë që janë pjesë e këtij biznesi. Punonjësit e shërbimit të Morgut dhe Mjekësisë Ligjore, kanë numrat e mjekëve, infermierëve, policëve rrugorë, shefave të pavionëve, të agjencive funerale, të taksistëve, me të cilët komunikojnë kur “del puna”! Madje kanë edhe numrat e telefonit të punonjësve të varrezave, më të cilët “negociojnë” për çmim, vend dhe pozicion varri. Mos u çuditni, por ata kanë lidhje në këtë biznes edhe me ndërmarrjet e dekorit që bëjnë kurorat e luleve. Kanë bashkëpunim në biznes edhe me restorantet për të prenotuar drekat e mortit. Mos u çuditni por shefat dhe punonjësit e shërbimit të Morgut e të Mjekësisë Ligjore, kanë lidhje edhe me hoxhallarët e priftërinjtë, të cilët i kanë bërë pjesë të biznesit të tyre me përmbajtje babëzie çnjerëzore. Paturpësia dhe ndyrësia e këtyre punonjësve të shtetit, shkon deri në këtë derexhe: Numrat e familjarëve të të vdekurve, ata ua japin agjencive funerale, taksistëve, pronarëve të restoranteve, përgatitësve të kurorave, punonjësve të varrezave dhe priftërinjve e hoxhallarëve. Familjarët që janë bërë “viktimë” e këtij lloj biznesi, na përmendën “çudinë”, që më shpejt e marrin vesh vdekjen ata, se sa vetë familjarët! Ky lloj biznesi nuk ndodh vetëm në Korçë, por edhe Berat, Fier, Vlorë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Dibër e Gjirokastër. 
Sigal