Moisi Habilaj del para gjykatës së Katanias: Jam i pafajshëm, dua liri

476
Moisi Habilaj, një prej personazheve të botës së krimit, është paraqitur ditën e djeshme para Gjykatës së Katanias ku ka kërkuar ndryshimin e masës së arrestit. Dyshohet si kreu i grupit të trafikut ndërkombëtar. Ndërsa dje është paraqitur përpara tre gjyqtarëve italianë Iarato, Benanti dhe Catena. Mëngjesin e së martës, Gjykata e Rivlerësimit e Katanias mori në shqyrtim ankimimet e bëra nga 6 prej 7 të arrestuarve të të ashtuquajturit “Grupi Habilaj”, mbi të cilët rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës. Ata u arrestuan në aksionin e quajtur “Venti dei Rosi”. I vetmi nga të arrestuarit që nuk ka kërkuar rishikimin e arrestimit ishte italiani Antonino Riela, i cili sipas dosjes së hetimit rezulton të jetë një nga kontaktet më të besuara në Katania të Moisi Habilajt. Moisi Habilaj është paraqitur i fundit përpara gjyqtarëve. Por siç konfirmoi dhe avokati i tij Biagio Maurizio Catalano, Habilaj i ka mohuar akuzat, duke kërkuar lirimin. Avokati italian i Moisi Habiljat në një lidhje telefonike për një media shqiptare ka pohuar, se brenda datës 3 nëntor Gjykata e Katanias do të shprehet në lidhje me kërkesën për rivlerësimin e masës së arrestit. “Sot është bërë seanca e prezantimit të kërkesës dhe Gjykata, pasi ka dëgjuar palët është tërhequr për të marrë vendimin që pritet të shpallet brenda datës 3 nëntor”, tha avokati italian. Të arrestuarit dolën përpara Gjykatës së Katanias, ndërsa Prokuroria bëri publike detaje nga dosja hetimore ku nënvizohet se grupi Habilaj ka trafikuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë lëndë narkotike në vlerën e 20 milionë eurove. Më tej, avokati i Moisi Habilajt pohon se dosja për këtë organizatë është shumë voluminoze dhe ka mijëra faqe brenda saj, sa që pala mbrojtëse as fizikisht nuk ka arritur t’i shfletojë të gjitha. Ndërsa nga ana tjetër prokuroria është duke punuar për të gjetur fakte të reja kundër këtij grupi kriminal. Si person i akuzuar që ka bashkëpunuar me Habilajt dhe që ka përdorur edhe policinë në shërbim të tyre, është ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ky i fundit po hetohet nga prokuroria e Krimeve të Rënda, Ndërkohë që një dosje voluminoze është duke u përkthyer nga ekspertët. Ka përgjime të shumta, të cilat nxjerrin edhe veprimtarinë e ish-ministrit. Për këtë qëllim po punon edhe pala shqiptare. Vetë Tahiri e ka mohuar akuzën. Ai u mbrojt nga kolegët në kuvend, të cilët nuk i dhanë të drejtën prokurorisë për ta arrestuar. Tahiri akuzohet për trafik droge dhe korrupsion pasiv.
Sigal