Mjeti me 30 klandestinë braktiset në Korçë

65

Nuk ndalet trafikimi i klandestinëve. Një 25 vjeçar u arrestua për transportimin e 30 emigrantëve të paligjshëm kundrejt pagesës.

Policia Kufitare e Kapshticë në bashkëpunim me patrullat e “Frontex” organizuan operacionin në bazë të informacioneve që kishin, por teksa ju kërkua të ndalonte mjetin,  Renato Çela, nuk i është bindur urdhrit, duke braktisur më tutje mjetin me emigrantë.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me patrullat e “Frontex”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se përgjatë aksit rrugor Devoll-Maliq, me një mjet furgon tip “Ford” do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën, kanë bërë të mundur lokalizimin e mjetit dhe janë vënë në ndjekje të tij. Forcat e Policisë, i kanë bërë me shenjë drejtuesit të mjetit të ndalonte, por ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka braktisur mjetin në afërsi të fshatit Zëmblak, Maliq, brenda të cilit janë konstatuar 30 emigrantë të paligjshëm” njofton policia.

Por arratia e tij nuk ka zgjatur shumë, pasi i riu është kapur në kryeqytet.

“Në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 3 në DVP Tiranë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit R. Ç., si autor i dyshuar i kësaj ngjarje”.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.