Masakra në Tiranë, prokuroria mbyll hetimet: Xhuvani vrau 4 personat

353
Sigal


Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për vrasjen e 4 personave në një lokal nate në kryeqytet ku i dyshuari është Kostandin Xhuvani.   Dosja e prokurorisë është dërguar për gjykim, ndërsa Kostandin Xhuvani akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “prodhimi dhe mbajtja e armëve pa leje.” 26-vjeçari sipas organit të akuzës ka vrarë 4 persona në lokalin e natës  në  Rrugës së Elbasanit, në Tiranë.


Nga hetimet e prokurorisë Xhuvani  ka qëlluar për vdekje në drejtim të shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaj.  Nga plumbat e qitur prej armës së përdorur nga ai, kanë mbetur të vdekur edhe shtetasit Arbër Demiraj dhe Gianpaolo Azzola.

Sipas ekspertizës, rezulton se faktorë plotësues të qitjes me armë janë gjetur vetëm në trupin e shtetasit të dyshuar Xhuvani dhe konkretisht në dorën e djathtë të tij. Në këtë mënyrë, krahas dëshmive dhe rindërtimit të ngjarjes, provohet edhe shkencërisht që autori i vrasjes së 4 personave është shtetasit Kostandin Xhuvani.

26-vjeçari ka pasur një grindje të çastit me shtetasit Jaho dhe Xhaj në lokalin ku gjendeshin në tavolina të ndryshme. Pas një bisede me tone të larta, shtetasi Xhuvani dhe miku i tij, viktima Demiraj, fillimisht kanë dalë nga lokali dhe më pas janë kthyer brenda një kohe shumë të shkurtër. Pas rikthimit në lokal, shtetasi Xhuvani i është drejtuar shtetasve Jaho dhe Xhaj “keni ndonjë problem” dhe menjëherë u ka qëlluar me armë tip pistoletë, duke lënë të vdekur këta dy shtetas.

Por, nga plumbat e qëlluar prej armës së tij, janë goditur edhe shtetasit Arbër Demiraj, i cili ishte në shoqërinë e Xhuvanit, si edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola, i cili gjenden ne lokal ne shoqërinë e një personi tjetër dhe qe nuk kishin asnjë lidhje me palët në konflikt.

Si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij, Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida (ky i fundit rezulton që nuk ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e goditjes me armë, por ka qenë shumë pranë lokalit), si edhe është deklaruar i vdekur në spital shtetasi italian Gianpaolo Azzola.