Lokalizohet grupi i zjarrit në Lazarat, në operacion edhe helikopterët e ushtrisë

402
Policia e Shtetit njoftoi se ka lokalizuar vendndodhjen e grupit të armatosur, që besohet se është përgjegjës për zjarrin e hapur në drejtim të forcave RENEA në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë.
Sipas policisë, grupi i armatosur ndodhet në vendin e quajtur “ish-Pularia”.
Zona është e rrethuar nga forca të shumta të policisë vendore, forca të FNSH, ato RENEA, ndërkohë që është thirrur nga ajri ndihma e dy helikopterëve të ushtrisë.
Policia thotë se ka gati një plan operacional për arrestimin dhe neutralizimin e grupit të armatosur.
Më herët uniformat blu gjetën një mjet tip Benz të bardhë. Brenda tij janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë, një automatik kallashnikov, një granatë, një kuti me fishekë, një këmbë mitralozi, një qese farmaceutike me lëndë narkotike, e lloji heroinë.
Ndërkaq është arrestuar drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet XH.M.
Korrespondentja e Top Channel në Gjirokastër, Kristina Fidhi njofton se policia mban të bllokuara të gjitha hyrjet në fshat dhe po ushtron kontrolle të imtësishme të automjeteve.
Uniformat blu kanë një listë me persona, disa prej të cilëve janë shoqëruar, por nuk ka asnjë të dhënë zyrtare nëse mes të shoqëruarve është ndonjë person i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit.
Besohet se grupi i zjarrit përbëhet nga 10-15 persona.
Ish-kreu i komunës, Dasho Aliko thotë se situata është e paqartë. Ai deklaroi se banorët e fshatit nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh, ndërkohë që herëpashere dëgjohen të shtëna.
Sigal