Kushtetuesja pranon kërkesën e gazetarit Qyno, për shtimin e padisë lidhur me asgjësimin e materialit të kopjuar nga SPAK. Në datën 2 Prill pritet vendimi!

46
Sigal

Gjykata Kushtetuese, vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve të gazetarit Elton Qyno, për ndryshimin e objektit të kërkesë padisë, ku përveç deklarimit si anti Kushtetues të kontrolleve dhe sekuestrimit të sendeve të punës dhe personale, Gjykata tashmë do shqyrtojë padinë edhe për asgjësimin e kopjimit të të dhënave.

Gjykata Kushtetuese, vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve të gazetarit Elton Qyno, për ndryshimin e objektit të kërkesë padisë, ku përveç deklarimit si anti Kushtetues të kontrolleve dhe sekuestrimit të sendeve të punës dhe personale, Gjykata tashmë do shqyrtojë padinë edhe për asgjësimin e kopjimit të të dhënave.

Seanca  ishte planifikuar për dëgjimin e pretendimeve të palëve, avokatëve mbrojtës të gazetarit dhe dy përfaqësuesve të SPAK, por për shkak se këta të fundit nuk ishin përgatitur lidhur me pikën e shtimit të objektit të kërkesë padisë kërkuan kohë, që prapësimet t’i japin me shkrim.

“…për këtë kërkesë për shtim objekti të padisë dhe tani në këtë seancë jemi njohur me këtë kërkesë të re, ndaj kërkojmë shtyrjen e seancën në mënyrë që të na jepet kohë për t’u konsultuar dhe mbështetur në praktikat ndërkombëtare…”-tha njëri nga prokurorët.

Por nga ana tjetër kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj i vuri në dukje prokurorisë se kishte marrë dijeni mbi këtë kërkesë për ndryshim objekti ndaj prokuroria kishte kohën e mjaftueshme për të bërë prapësimet.

“…ne bëmë verifikimet dhe për t’ju vënë në dijeni shkresa është dorëzuar në 03.03.2025, është marrë në dorëzim nga Laureta Paparizo. Në shkresën përcjellëse nga ana jonë thuhet konkretisht se bashkëlidhur ju vëmë në dispozicion për dijeni shkresën datën 27 Shkurt 2025 për ndryshimin e objektit të ndryshimit Kushtetues.

Kështu që marrja në dijeni është e konfirmuar, dhe nuk e di nëse keni pasur mundësi të komunikonit edhe me strukturat tuaja…”-deklaroi Holta Zaçaj.

Por prokurori Maksuti pretendoi se:“…kjo kërkesë është një kërkesë për shkatërimin e kopjeve të imazheve, që përbën në thelb shkatërim të provës materiale dhe asgjësim të tyre. Është një kërkesë për të cilën ne duhet të konsultohemi dhe me ekspertët përkatës dhe me të gjithë praktikën që është vendosur, qoftë nga gjykatat vendase dhe ndërkombëtare. Për këtë arsye kërkojmë shtyrjen e seancës…”
Avokati Dorian Matlia i tha gjykatës se:“…nëse shfuqizohet vendimi për sekuestrimin duhet detyrimisht që të mos disponohen as kopjet. Sepse ndryshe, mundësia e organit të akuzës të vazhdojë të jetë e tillë që ti zbulojë gjithë sekretet e gazetarit sa herë të ketë mundësinë teknike. Duke i pasur aty i hapin në çdo moment. Ne dimë gjithashtu dhe diçka tjetër që pavarësisht kërkesës që bëri Komiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për t’u pezulluar çdo përpunim i të dhënave, përsëri një gjë e tillë u shpërfill nga subjekti i posaçëm. U morën të dhënat, u hapën, u kopjuan u bënë çdo gjë. Prokuroria e Posaçme nuk ndalohet thjesht me një efekt shfuqizimi, por duhet urdhëruar për të mos e pasur më këto kopje. Unë nuk e shoh si një kërkesë të re, por e shoh si një zgjatim të kërkimit ekzistues…”.
Gjykata Kushtetuese deri më 26 mars palëve iu dha kohë që të paraqesin argumente të tjera nëse do të kenë. Ndërsa më 2 prill pritet të shpallet vendimi.

Gazetari Investigativ i Kronikës së Zezë, Elton Qyno, kishte kërkuar fillimisht shfuqizimin e vendimeve të Shkallës së Parë të GJKKO, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për sekuestron e telefonave, por tashmë Kushtetuesja do të shprehet mbi një objekt të ri, atë të shkatërrimit të imazheve dhe materialeve që SPAK ka marrë nga telefonët sekuestruar gazetarit në zyrë dhe në banesë.

Gazetari u procedua për nxjerrje sekreti hetimor në disa artikujve me informacione nga dosjet e SPAK për krimin e organizuar dhe që të dhënat sipas SPAK konsideroheshin sekrete hetimore.

Sipas SPAK, materialet e publikuara në media, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky” dhe për këtë arsye, Elton Qynos, i është kërkuar të tregonte burimin sesi i kishte siguruar materiale të tilla që ishin pjesë e akteve hetimore.Por gazetari e konsideroi këtë kërkesë si shkelje ligjore pasi një gazetar nuk mund të tregonte burimin, ndërsa për orë të tëra, iu privua edhe liria duke u shtrënguar të tregonte personin që i dha dosjen.Seanca e hapur është ndjekur dhe nga përfaqësues të medias, gazetarë të terenit që mbulojnë Kronikën e Zezë në Shqipëri.