Krimi brenda familjes përgjak Tiranën, burri vret me sëpatë bashkëshorten 18-vjeçare

404
Sigal

Nuk është hera e parë, por ajo që ndodhi dje në Hekal të Tiranës është vërtetë e tmerrshme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Hekal, të Tiranës ku burri ka qëlluar për vdekje me sëpatë bashkëshorten e tij. Krimi brenda familjes po merr përmasa gjigante kohët e vendit në vendin tonë. Fatkeqësisht, këto krime të vazhdueshme dhe shtuar së tepërmi kohët e fundit, po terrorizojnë mbarë opinionin publik me makabritetitn e tyre. Ashpërsimi i masës së dënimit për krimet brenda familjes, siç duket nuk ka dhënë efektin e duhur. Sipas avokatëve, duhet të angazhohen të gjitha institucionet shtetërore dhe organizmat e tjerë civile, që të krijojnë mekanizma të posaçme për të parandaluar këtë fenomen shqetësues në Shqipëri. Pavarësisht rritjes së këtij fenomeni, asnjë institucion, qoftë shtetëror apo organizata për mbrojtjen e drejtave të njeriut, nuk ka demonstruar pikë përgjegjësie dhe qytetarie. Ndërkohë që në Prokurorinë e Tiranës, vetëm 6 mujorin e parë të këtij viti janë denoncuar 90 raste të dhunës në familje. Ndërkohë psikologët shprehen se janë një sërë faktorësh që ndikojnë në prishjen e ekuilibrit emocional, gjë që çon më pas në kryerjen e akteve makabre brenda familjes. Sipas tyre faktorët social-ekonomik dhe politik qëndrojnë në sfond të këtyre lloj veprimeve.

Në pranga autori

 Tronditet sërish kryeqyteti. Një krim brenda familjes i ka marrë dje jetën një tjetër gruaje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Hekal, të Tiranës ku burri ka qëlluar për vdekje me sëpatë bashkëshorten e tij. Sipas policisë viktima është 18-vjeçarja Anxhela Gjoshi, ndërsa është bërë i mundur arrestimi i autorit të ngjarjes, Ersi Gjoshi.

Policia sqaron më tej, se po heton për shkaqet e këtij krimi të rëndë.

Lezhë, dhunonte dhe kërcënonte prindërit me armë, arrestohet

 Policia e Lezhës ka arrestuar në flagrancë një person, i cili kërcënonte dhe dhunonte prindërit e tij. Burime nga policia bëjnë të ditur se shtetasi Fatmir Delia është arrestuar paraditen e sotme në banesën e tij, në fshatin Rrilë të Lezhës, pas një kallëzimi që prindërit e tij kishin bërë në komisariat. Mësohet se Delia i dhunonte pa shkak të prindërit e tij, dhe i kërcënonte se do t’i vriste me një armë, tip pistoletë TT. Në momentin e arrestimit, policia sekuestroi edhe armën, të cilën i akuzuari e mbante pa leje në banesë. Rastet e dhunës në familje janë bërë të përditshme kohët e fundit në vend. Në shumë raste dhuna ka degjeneruar deri në veprime ekstreme, duke shkaktuar viktima.

 

Dhunon gruan shtatzënë, tenton t’i vërë flakën banesës me djalin 15 muajsh brenda

 Parandalohet në kohë një krim i rëndë brenda familjes, në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e familjes Hoxha në lagjen numër 9 të Durrësit. Asllan Hoxha, 37-vjeç pasi dhunoi bashkëshorten shtatzënë në mënyrë barbare, ka spërkatur me benzinë banesën në katin e katërt, me qëllim djegien.

Akti i dhunës është zhvilluar dhe në prani të fëmijës 15 muajsh të çiftit Hoxha, ndërkohë, që ka qenë gruaja shtatzënë që ka lajmëruar policinë në numrin 129. Policia ka mundur të arrestojë menjëherë në flagrancë bashkëshortin dhunues, teksa ai tentonte të digjte gruan shtatzënë bashkë me fëmijën e tij. Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja  e rëndë të ketë pasur motiv xhelozinë. Ndërkohë, mësohet se gruaja shtatzënë ka denoncuar disa herë në polici dhunën e bashkëshortit e cila sot mund të rezultonte fatale.

Korçë, u denoncua nga nusja e djalit për ngacmim seksual, 72-vjeçari: Ajo ka sajuar

Gjykata e Korçës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 72-vjeçarin Karafil Topi, i cili u denoncua nga nusja e djalit të tij për ngacmim seksual. Gjatë seancës gjyqësore, 72-vjeçari i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nusja e djalit ka sajuar gjithçka, për shkak të disa mosmarrëveshjeve që ata kishin. Avokati mbrojtës ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie për shkak të moshës, por gjykata ka vendosur të mbajë në burg 72-vjeçarin. Tre ditë më parë Fatime Topi, nga fshati Bitinckë i rrethit të Devollit, ka deklaruar para bluve, se vjehrri i saj, Karafil Topi e ngacmonte seksualisht që prej disa muajsh, madje në prezencë të 5 vajzave të saj. “Vjehrri ishte i fiksuar dhe më ndiqte në çdo moment në shtëpi, duke më prekur në trup. Këto veprime i bënte në sy të mbesave të tij. Ai flinte në të njëjtën dhomë me mua e tim shoq, pasi prej 30 vjetësh ishte i ve. Rasti i fundit ishte i një dite më parë, kur vjehrri nisi të më ngacmonte dhe djali i tij e kapi në flagrancë”, – është shprehur 37-vjeçarja në polici. Pas denoncimit të gruas, policia ka marrë në pyetje rreth ngjarjes dy vajzat më të rritura të gruas; 14 dhe 12 vjeçe. Në prani të psikologut, minorenet janë shprehur në polici se e kishin parë shpesh gjyshin e tyre që u ngacmonte nënën, kur babai i tyre nuk ishte prezent, por kurrë nuk kishin mundur të flisnin për këtë ngjarje.

 

Avokati i Popullit: Ngacmimi seksual dhe moral të parashikohet si vepër penale

Avokati i Popullit, Igli Totozani i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë disa ndryshime në Kodin Penal, duke kërkuar që ngacmimi seksual dhe moral të parashikohet si vepër penale. “Plotësimin e Ligjit Nr. 7895 datë 27.01.1995, “Kodi Punës i Republikës së Shqipërisë”, (i ndryshuar) në nenin 32 të tij duke shtuar si dispozitë ligjore në pikën 4 edhe ngacmimin moral të punëmarrësit, nga ana e punëdhënësit, i cili me veprime të përsëritura ka si qëllim shkatërrimin ose degradimin e kushteve të punës, duke i cenuar të drejtat dhe dinjitetin/moralin si dhe duke dëmtuar shëndetin fizik dhe mendor të tij. Në kuadrin e trajtimit të ankesave dhe problematikave që lidhen me të drejtat e njeriut prej institucionit të Avokatit të Popullit kemi menduar që do të ishte mirë të shikohej mundësia që për herë të parë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë, të parashikohen si vepra penale edhe “Ngacmimi Seksual” dhe “Ngacmimi Moral”.”- thuhet në rekomandimin që Avokati i Popullit i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë. Avokati i Popullit nënvizon se “në lidhje me nevojën e shtimit të këtyre dy dispozitave kemi diskutuar së fundmi dhe kemi marrë miratimin në parim edhe të Misionit EURALIUS.”

 

BERAT/Trafikoi 25 vjeçaren, prangoset fieraku

Një 26 vjeçar nga Fieri, ka përfunduar në prangat e policisë pasi ka trafikuar për një periudhë prej tre vjet e gjysmë në  Greqi, Itali dhe Gjermani shtetasen me iniciale S.Q, 25 vjeçe nga qyteti i Beratit. Lajmi bëhet i ditur nga policia e rajonit të Beratit, e cila njofton se më datë 19.07.2013, ora 17.30, nga ana e Strukturave të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Berat,  u bë ndalimi  i shtetasit Ari Kujtim Jemini 26 vjeç, banues në Fier, me gjendje gjyqësore i pa dënuar më parë. Sipas policisë, ndalimi i shtetasit të mësipërm u bë për arsye se ky shtetas ka trafikuar për një periudhë prej tre vjet e gjysmë shtetasen me iniciale S.Q, 25 vjeçe, banuese në Berat,  në shtetet Greqi, Itali dhe Gjermani, me qëllim përfitimi. Materialet iu referuan  Prokurorisë  së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale  “Trafikim Femrash”,  parashikuar nga neni 114/b të Kodit Penal.

DURRËS/Grabisnin me armë turistët kosovarë, “arrest me burg” për katër të rinjtë

Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë arrest me burg për 4 të rinjtë që akuzohen për grabitjen me armë të turistëve që frekuentojnë plazhet e Durrësit.Sipas policisë, 18-vjeçari Jetmir Mera banues në lagjen “Kënetë” në Durrës; 20-vjeçari Leonard Fierza banues në Shkodër; 18-vjeçari Hasan Toska banues në Bulqizë dhe 17-vjeçari Haki Nuçi banues në Bulqizë janë autorë për të paktën katër grabitjeve me armë të pushuesve kosovarë. Personat në fjalë janë arrestuar dy ditë më parë, pas denoncimit që kryen tre të rinj nga Drenasi i Kosovës. Sipas policisë lokale, pushuesit nga Kosova u sulmuan në sektorin “Apollonia” të plazhit gjatë kohës që kryenin shëtitje në bregdet.

POLICIA

Në bazë të përshkrimeve që kanë dhënë tre pushuesit kosovarë, efektivat blu të Durrësit mundën të identifikonin dhe të vinin në pranga grabitësit: Jetmir Merën, Leonard Fierzën, Hasan Toskën dhe Haki Nuçin. Bandës së grabitësve, në momentin e arrestimit ju është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një thikë, një pistoletë, si dhe sendet e vjedhura të tre pushuesve kosovarë (portofolat, celularët, varëset e floririt etj).