Krim i 3- fishtë për tradhti bashkëshortore. Vret vëllain, gruan dhe veten

492
Sigal

Fshati Grecë në Komunën Pezë, krimi makabër godet sërish në familje, humbin jetën 3 persona

TIRANË/ Krimi trondit sërish në familje duke shkaktuar tre viktima në fshatin Grecë të Komunës Pezë. Ngjarja e rëndë dhe fatale për këtë familje, ka ndodhur rreth orës 11:50 minuta të ditës së djeshme në banesën e familjes Kolgjini. Ferit Kolgjini, 60-vjeç ekzekutoi me armë vëllain e tij Dan Kolgjini 67-vjeç, bashkëshorten Sulltane Kolgjini 59-vjeç, e më pas i dha fund jetës së tij. Nga të dhënat e para dyshohet se zbulimi i një lidhje jashtë martesore nga bashkëshortja dhe vëllezërit duket se ka qenë shkaku i masakrës në familjen Kolgjini e shënuar në oborrin e banesës së Feritit. Një natë më parë Ferit Shaban Kolgjini, është pikasur nga të afërmit teksa dilte nga banesa e fqinjës së tij që kishte mbetur e ve prej rreth një viti. Ky episod është bërë shkak që bashkëshortja e Feritit të lajmëronte kunetërit, përkatësisht Dan dhe Mevlan Kolgjinin, të cilët janë mbledhur në oborrin e banesës së vëllait. Tonet e diskutimit në orët e paradites në familjen Kolgjini, kanë qenë të ashpra dhe fyese, madje sikundër tregojnë banorët pak para krimit kanë dëgjuar të bërtitura, që vinin nga banesa e 60-vjeçarit. Mësohet se Ferit Kolgjini në gjendje të rënduar emocionale dhe i ngarkuar psikologjikisht është futur në banesë ka marrë pushkën dhe ka zbrazur plumbat fillimisht mbi të vëllanë, Dan Kolgjinin 67 vjeç dhe më pas mbi bashkëshorten Sulltane Kurt Kolgjini 59 vjeç. Plumbave u ka shpëtuar Mevlani, vëllai tjetër që ishte larguar pak para krimit. Më pas 60-vjeçari babai i katër fëmijëve ka marrë çiften dhe ka qëlluar mbi veten e tij duke pësuar vdekjen e menjëhershme. Hetimet: Policia gjeti në vendngjarje dy armë zjarri, një pushkë dhe një çifte me të cilat janë vrarë pjesëtarët e familjes Kolgjini si dhe tre gëzhoja. Familja Kolgjini është me origjinë nga fshati Lusen i Kukësit dhe prej më shumë se 20 vitesh jetonin në Pezë të madhe.